Më 15 mars, SHBA-ja ka nisur atë që e ka përshkruar si një seri sulmesh ajrore "vendimtare dhe të fuqishme" kundër Houthis në Jemen.
Jeffrey Goldberg ka shkruar se katër ditë më parë, më 11 mars, kishte marrë një kërkesë për lidhje në aplikacionin e koduar të mesazheve “Signal” nga një llogari që supozohej të ishte e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Waltz.
“Signal” përdoret nga gazetarët dhe zyrtarët e Uashingtonit, për shkak të natyrës së sigurt të komunikimit të tij, aftësisë për të krijuar pseudonime dhe për të dërguar mesazhe që zhduken.
Një numër llogarish që dukej se u përkisnin anëtarëve të kabinetit dhe zyrtarëve të sigurisë kombëtare u përfshinë në bisedë, sipas Goldberg.
Llogaritë e etiketuara "JD Vance", emri i zëvendëspresidentit, "Pete Hegseth", sekretari i Mbrojtjes, dhe "John Ratcliffe", drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), ishin ndër emrat e përfshirë në bisedë. Zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare nga agjenci të ndryshme ishin shtuar gjithashtu.
Goldberg ka thënë se ai shikonte teksa në grup diskutoheshin objektivat dhe oraret e sulmeve ushtarake.
Dhe këto plane u shfaqën të sakta kur SHBA-ja më vonë nisi sulmet ajrore ndaj Houthis në Jemen që përputheshin me detajet nga biseda në grup.
