Zyrtarët gjermanë diskutuan për dërgimin e raketave “Taurus”, vetëm teorikisht. Gjermania nuk ka aprovuar dërgimin e armëve përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga Ukraina. Raketat “Taurus” kanë rreze veprimi deri 500 kilometra
Në ditën që u varros në Moskë lideri opozitar rus Alexei Navalny, media shtetërore ruse publikoi një audioincizim ku pretendohet se zyrtarë të ushtrisë gjermane po diskutojnë për përdorimin në Ukrainë të raketave me rreze të gjata veprimi “Taurus”, ishin diskutime hipotetike.
Biseda në këtë temë të ndjeshme kurrë nuk ishte paraparë të dilte për publikun, dhe rrjedhja turpëroi Gjermaninë dhe ngriti shqetësimet për sigurinë e komunikimeve të saj.
E zemëruar me Gjermaninë, Moska rriti nivelin e kërcënimit si përgjigje.
“Nëse asgjë nuk bëhet, dhe gjermanët nuk ndalojnë së bëri këtë, atëherë do të ketë pasoja të tmerrshme së pari dhe kryesisht për vetë Gjermaninë”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova të hënën.
Në kundërpërgjigjen e saj, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha: “Nëse Rusia s’do ta sulmonte brutalisht këtë shtet, atëherë Ukraina s’do të kishte nevojë ta mbronte veten”.
Në fakt zyrtarët gjermanë diskutuan për dërgimin e raketave “Taurus”, vetëm teorikisht.
Gjermania nuk ka aprovuar dërgimin e armëve përkundër kërkesës së vazhdueshme nga Ukraina.
Këtu është një shikim nga ajo që mediumet gjermane e quajnë “afera e përgjimeve” dhe për raketat “Taurus” në zemër të këtyre tensioneve.
Çfarë janë raketat “Taurus” dhe çfarë mund të bëjnë?
Të pajisura me teknologji “stealth”, që i bën ato më vështirë të zbulohen, raketat “Taurus” kanë një rreze veprimi deri 500 kilometra, që do ta ndihmonte Ukrainën të ushtronte presion mbi Rusinë në Detin e Zi dhe vende tjera.
Raketat të prodhuara në Gjermani e Suedi do të jenë në gjendje të arrijnë objektivat thellë në Rusi nga toka ukrainase.
Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë raketat për t’i plotësuar raketat me rreze të gjatë veprimi “Storm Shadow” që u dërguan nga Britania e Madhe dhe po ashtu raketat lundruese “Scalp” të dërguara nga Franca.
Britania e Madhe njoftoi pranverën e kaluar se po dërgonte “Storm Shadows”, të cilat kanë një rreze veprimi prej më shumë se 250 kilometrave dhe i japin Ukrainës kapacitet për të goditur prapa vijave të frontit, duke përfshirë këtu edhe Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Ukraina u zotua të mos i përdorë raketat për të sulmuar territorin rus.
Franca ndoqi Britaninë duke dërguar raketa “Scalp”, duke dhënë garanci se ato nuk do të jenë në gjendje ta godasin territorin rus.
Parisi së fundi dërgoi 40 raketa shtesë “Scalp”.
Cili është pozicioni i Gjermanisë për dërgimin e raketave “Taurus” në Ukrainë?
Gjermania, pas SHBA-së, është vendi që po e ndihmon Ukrainën më së shumti në aspektin ushtarak. Por, kancelari gjerman, Olaf Scholz, po refuzon që të dërgojë raketa “Taurus”. Javën e kaluar, ai tha se dërgimi i raketave do të përbënte rrezik që shteti i tij të përfshihej në mënyrë direkte në luftë.
“Ushtarët gjermanë në asnjë pikë dhe në asnjë vend nuk duhet të ndërlidhen me shënjestrat që ky sistem i arrin”, ka thënë Scholz.
Disa anëtarë të konservatorëve, që janë në opozitë dhe madje edhe disa prej koalicionit trepartiakë të social-liberalëve, duan të dërgojnë raketa në Ukrainë. Por, kjo ide nuk është se po pëlqehet te publiku gjerman.
Mediumet gjermane sugjerojnë se duke mos lejuar që armët “Taurus” të dërgohen në Ukrainë, kancelari po mundohet ta portretizojë veten si “kancelar i paqes” para zgjedhjeve të qershorit në Parlamentin Evropian.
“Shumë njerëz po frikësohen se lufta mund të përhapet. Scholzi gjatë ka qenë i vetëdijshëm për këtë”, ka shkruar të premten revista “Der Spiegel”. “Ai do t’u tregojë atyre: jam i vetëdijshëm për ju dhe brengat tuaja”.
Por strategët ushtarakë kanë shqetësime të tjera.
Gustav Gressel, partner i lartë politikë për marrëdhënie me jashtë në Këshillin Evropian, ka thënë këtë vit se derisa Britania dhe Franca po zhvillojnë pasardhësit e “Storm Shadows” dhe “Scalps”, Gjermania ende nuk ka një pasardhës të “Taurusit”.
Gjermanët druhen se mund të mbesin depot e tyre pa raketa “Taurus” dhe se “rusët do të shohin se si operojnë këto raketa në Ukrainë dhe do të mund të përgatisin kundërmasa për to”.
Çfarë rrodhi në audioincizm?
Audioincizimi 38-minutësh u publikua në rrjete sociale të premten nga Margarita Simonyan, kryeredaktore e kanalit televiziv rus “RT”, ditën e njëjtë kur u varros Navalny pas vdekjes së befasishme dy javë më parë në koloninë penale në Arktik. Ky audioincizim është shfaqur pak javë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi.
Në audioincizim, kreu i forcave ajrore të Gjermanisë, Ingo Gerhartz, dëgjohet duke diskutuar skenarë të dërgimit të raketave “Taurus” në Ukrainë. Ai e zhvillon këtë bisedë me tre kolegë, para takimit me ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Simonyan pretendon se biseda ka ndodhur më 19 shkurt.
Katër zyrtarë ushtarakë gjermanë diskutojnë se si raketat “Taurus” mund të përdoren nga Kievi kundër forcave pushtuese ruse dhe se si Gjermania duhet ta përkrahë Ukrainën teknikisht.
“Nëse vendosim politikisht që ta përkrahim Ukrainën me to (raketat Taurus), si do të funksiononte kjo?” – pyet një zyrtar. “Nuk duhet të flasim vetëm për problemet, por edhe për zgjidhjet”.
Më pas të katër bisedojnë për disa çështje që duhet të merren nën konsideratë, përfshirë dërgesën, stërvitjen dhe momentin. Thellohen në detaje se si Ukrainës teorikisht do t’i duhet sistemi për shënjestrim “të urës në lindje” apo të ndonjë “depoje të armëve”.
Gjatë diskutimit bëhet e qartë se ata po i referohen urës Kerch që e lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar. Një nga zyrtarët thotë se stërvitja për të shënjestruar urën, që “është më e madhe se një pistë e aeroplanëve”, do të marrë më tepër kohë.
Po ashtu, diskutojnë për linja të kuqe për politikanët gjermanë, përfshirë dëshirën për të evituar që ushtria të shihet si e përfshirë drejtpërdrejt.
Zyrtarët thonë se përdorimi i shpejt i raketave “Taurus” do të ishte i mundur vetëm me ushtarë gjermanë – dhe se stërvitja e ushtarëve ukrainas për të bërë këtë do të ishte e mundur, por do të merrte kohë disa muaj.
Audioincizimi e bën të qartë se qeveria gjermane nuk ka dhënë leje për dërgesën e raketave lundruese që po kërkohen aq shumë nga Ukraina.
Si reagoi Gjermania?
Zyrtarët gjermanë nuk kanë kundërshtuar kategorikisht autenticitetin e audioncizimit.
Me orë pasi u publikua audioncizimi të premten në mediumin rus, zyrtarët gjermanë nuk reaguan fare. Më pas të shtunën, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ka thënë se po heton, dhe Scholz e quajti “çështje shumë serioze” që kërkon qartësim.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, të dielën denoncoi rrjedhjen duke e quajtur akt të “luftës së informacionit” kundër Perëndimit dhe tha se synim është për të krijuar mosmarrëveshje brenda Gjermanisë. Ai tha se nuk është koincidencë se rrjedhja ndodhi në ditën e varrimit të Navalnyt.
“Është sulm hibrid. Është sulm i qartë për ta minuar unitetin tonë”, ka thënë Pistorius.