Irani ka lansuar qindra raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa të paktën disa prej tyre kanë goditur në territorin izraelit. Është sulmi i dytë i Iranit këtë vit, pasi lansoi qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit në prill.
Zyrtarët e ushtrisë së Izraelit kanë thënë se sulmi ka mbaruar dhe duket se nuk ka më rrezik nga Irani “ tash për tash”, por ende është e paqartë se sa dëme janë shkaktuar.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar “për pasoja” pas sulmit.
Ja se çfarë dihet deri më tash.
Cila është shkalla e sulmit të Iranit?
Irani lansoi rreth 180 raketa drejt Izraelit, tha ushtria izraelite. SHBA-ja pretendoi se në sulm ishin përfshirë rreth 200 raketa. Kjo do ta bënte sulmin më të madh se në prill, ku ishin të përfshirë rreth 110 raketa balistike dhe rreth 30 raketa lundruese.
Në pamjet në televizionin shtetëror izraelit shihen raketat duke fluturuar mbi Tel-Aviv pak para orës 19:45 me kohë lokale.
Shumica e raketave u rrëzuan nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore, ka thënë një zyrtar i sigurisë i Izraelit, ndërsa një korrespodent i BBC-së në Jerusalem tha se disa baza ushtarake mund të jenë goditur dhe se restorantet dhe shkollat po ashtu janë goditur.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) pretendon se 90 për qind e raketave kanë goditur në shënjestra, duke thënë se për herë të parë janë përdorur edhe raketa hipersonike. Burime të IRGC-së thanë se janë shënjestruar tri baza ushtarake.
Autoriteti i mbrojtjes civile palestineze në qytetin Jericho në Bregun Perëndimor tha se një person vdiq gjatë sulmit iranian me raketa.
Guvernatori i qytetit Hussein Hamayel tha për agjencinë "AFP", se personi vdiq pasi u godit nga mbetjet e një rakete.
Zyrtarët izraelitë raportuan se nuk ka lëndime serioze nga sulmi i të martës. Mjekët izraelitë kanë trajtuar dy persona që morën lëndime të vogla nga shpranelët.
Pse Irani vendosi ta sulmonte Izraelin?
IRGC-ja ka njoftuar se sulmet ishin reagim ndaj vrasjeve nga sulmet izraelite të komandantëve të lartë dhe liderëve të milicive të mbështetura nga Irani në rajon.
Ka përmendur vrasjet e shefit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe komandantit të IRGC-së, Abbas Nilforoshan, në kryeqendrën e Libanit, Bejrut, më 27 shtator.
Po ashtu i është referuar vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran në korrik.
Ndërsa Izraeli nuk e ka pranuar se qëndron prapa vrasjes së Haniyehut, besohet gjerësisht se ajo qëndron prapa.
Një zyrtar i lartë iranian i ka thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” se lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei, personalisht ka dhënë urdhrin për sulmin e të martës me raketa.
Irani nuk e njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe kërkon çrrënjosjen e tij. Ka shpenzuar vite duke mbështetur organizatat paraushtarake kundër Izraelit.
Izraeli beson se Irani përbën një kërcënim ekzistencial dhe ka shpenzuar vite duke kryer operacione të fshehta kundër Teheranit.
A u ndaluan raketat nga Kupola e Hekurt?
Izraeli ka një sistem të sofistikuar të mbrojtjes, që njihet ndryshe si Iron Dome (Kupola e Hekurt).
Është ndërtuar për të shkatërruar raketa me rreze të shkurtra të llojeve që lansohen nga Hamasi e Hezbollahu.
Ndërsa u përdor edhe për të mbrojtur kundër disa elementeve të sulmit të Iranit në prill, elemente tjera të “shtresave” të sistemeve të mbrojtjes kryen punën më të madhe në sulmin e të martës.
David’s Sling – një sistem i përbashkët i prodhuar nga SHBA-ja e Izraeli – përdoret për të neutralizuar raketa me rreze të mesme dhe të gjata veprimi, si dhe raketa balistike dhe lundruese. Kur bëhet fjalë për raketat balistike me rreze të gjatë, të cilat fluturojnë jashtë atmosferës së Tokës, Izraeli ka shkatërruesit “Arrow 2” dhe “Arrow 3”.
Si reaguan aleatët e Izraelit?
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka ripohuar përkrahjen e SHBA-së për Izraelin pas sulmit iranian me raketa, duke thënë se “është mposhtur sulmi dhe ishte joefikas”.
Ai ka urdhëruar forcat e tij në rajon për “ta ndihmuar mbrojtjen e Izraelit” dhe të rrëzojë raketat iraniane.
Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, ka thënë se luftanijet amerikane kanë lansuar disa raketa mbrojtëse kundër raketave iraniane që po shkonin në drejtim të Izraelit.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka konfirmuar se janë bërë shumë neutralizime nga SHBA-ja, ndërsa dënoi “aktin mizor të agresionit nga Irani”.
BBC-ja ka qenë në gjendje të verifikoi disa video ku shihet neutralizimi i raketave iraniane mbi kryeqendrën e Jordanisë, Amman. Po ashtu SHBA-ja kishte rrëzuar një numër të raketave gjatë sulmit të Iranit në prill.
BBC mëson se aeroplanët luftarakë britanikë ishin të përfshirë në përkrahjen e Izraelit të martën, siç ishin edhe në prill.
Sekretari i Mbrojtjes, John Haley, tha se forcat britanike “kanë luajtur rol në tentimet për të parandaluar përshkallëzimin e mëtutjeshëm” të martën mbrëma, ndërsa nuk dha detaje të mëtutjeshme.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer tha se Britania qëndron krah Izraelit dhe e njeh “të drejtën e tij për t’u mbrojtur”.
Franca dhe Japonia po ashtu i janë bashkuar vendeve që kanë dënuar sulmin e Iranit, siç ka bërë edhe Bashkimi Evropian. U është bërë thirrje palëve të evitojnë përshkallëzimin e mëtutjeshëm.
Çfarë më pas?
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Irani “ka bërë gabim të madh” dhe “do të paguajë për këtë”.
“Ne kemi plane dhe do të operojmë në vendin dhe kohën që vendosim”, ka thënë zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Haggari.
IRGC-ja e Iranit ka thënë se reagimi i Teheranit do të jetë “më shkatërrues” nëse Izraeli hakmerret.
Ndërkohë, Ushtria e Izraelit ka kryer sulme të reja ajrore në Bejrut të Libanit kundër Hezbollahut dhe ka paralajmëruar qytetarët që të ikin nga periferia jugore.