Botë

Çfarë armësh përdori Irani në sulmin ndaj Izraelit

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit

Të paktën nëntë vende kanë qenë të përfshira në përshkallëzimin ushtarak – me dronë e raketa që janë hedhur nga Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni dhe janë rrëzuar nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Jordania.

Për herë të parë ndonjëherë, Irani ka kryer sulme kundër territorit izraelit.

Në mesnatën e së shtunës janë ndezur alarmet për sulme ajrore në Izrael. Banorëve u ishte kërkuar të strehoheshin, ndërsa janë dëgjuar shpërthime teksa mbrojtja ajrore ishte aktivizuar.

Sistemet e ndalimit të raketave kanë ndriçuar qiellin gjatë natës në disa pika nëpër tërë vendin, ku shumë dronë dhe raketa janë rrëzuar nga Izraeli dhe aleatët e tij para se ato të arrinin territorin izraelit. 

Të paktën tetë vende kanë qenë të përfshira në përshkallëzimin ushtarak – me predha që janë hedhur nga Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni dhe janë rrëzuar nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Jordania.

Çfarë pati në sulmin e Iranit mbi Izraelin dhe çka është rrëzuar. 

Sulmi ka përfshirë dronë, raketa lundruese dhe raketa balistike

Irani ka lëshuar më shumë se 300 dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, ka thënë ushtria izraelite të dielën.

Sulmi ka përfshirë 170 dronë dhe 30 raketa lundruese, asnjëra nga të cilat nuk ka arritur të hyjë në territorin izraelit dhe të paktën 110 raketa balistike, prej të cilave vetëm një numër i vogël ka arritur në Izrael, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, në një intervistë televizive. 

Distanca më e shkurtër nga Irani për në Izrael është rreth 1.000 kilometra përmes Irakut, Sirisë dhe Jordanisë.

Bombardimet e lëshuara nga disa vende

Të shtunën në mbrëmje Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka thënë se ka lëshuar dronë dhe raketa. 

Burimet e sigurisë së Irakut kishin treguar se janë parë predha duke fluturuar mbi Irak në drejtim të Izraelit.

IRGC-ja ka thënë se raketat balistike janë lëshuar gati një orë pas dronëve që lëvizin ngadalë, në mënyrë që ta godisnin Izraelin gati në të njëjtën kohë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka thënë se forcat amerikane kanë ndaluar dhjetëra raketa dhe dronë të lëshuar nga Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni.

Grupi Hezbollah i Libanit i përkrahur nga Irani gjithashtu ka thënë se ka nisur disa  raketa në një bazë ushtarake izraelite në Lartësitë Golan të pushtuar.

Si është trajtuar sulmi nga mbrojtja izraelite

Rreth 99% e dronëve e raketave të lëshuara u ndaluan jashtë zonës ajrore izraelite ose mbi vetë vendin, ka thënë Hagari.

Këto kanë përfshirë të gjithë dronët dhe raketat lundruese, të cilat kanë ndjekur një trajektore të drejtë dhe shumicën e raketave balistike, të cilat janë hedhur në një trajektore të lakuar duke e përdorur gravitetin për të arritur shpejtësi shumë të mëdha.

Meqë shumica e predhave kanë ardhur nga një distancë mjaft e largët, Izraeli ka qenë në gjendje të dërgojë avionët luftarakë “F-35”, avionë luftarakë të konsideruar si më të avancuarit ndonjëherë, për t’i ndaluar ato. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë se 25 nga 30 raketat lundruese të lansuara nga Irani janë rrëzuar jashtë vendit.

Për çdo predhë që ka kaluar vijën e parë të mbrojtjes, Izraeli ka përdorur “Aerial Defense Array” - ombrellë me tri nivele të sistemeve të mbrojtjes raketore të vendosura në vend që nga 7 tetori – që ka rezultuar efektive.

Sistemi i shkallës më të lartë është “Arrow”, i përdorur për të ndaluar raketa me rreze të gjatë. Mendohet se “Arrow” është përdorur për t’i rrëzuar shumicën e raketave balistike të drejtuara drejt Izraelit. 

Nga pamjet të cilat tregojnë njërën nga këto raketa duke u rrëzuar jashtë atmosferës së Tokës, sugjerojnë se “Arrow 3” – më i avancuari nga këto tri sisteme, që përdor raketa ekzoatmosferike hipersonike antibalistike – ishte përdorur.

Elementi tjetër, “David's Sling”, duhet të jetë përdorur për t’i ndaluar raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi e raketat lundruese dhe dronët, duke i rrëzuar ato rreth 300 kilometra larg. 

Dhe sistemi i fundit, “Iron Dome” – i cili është dizajnuar për të ndaluar raketat të drejtuara drejt zonave të banuara – është përmirësuar kohëve të fundit për t’u përballuar me kërcënimin nga dronët.

Megjithatë, ushtria izraelite ka thënë se asnjëri nga 170 dronët e lëshuar nga Irani dhe nga përfaqësuesit e tij nuk ka arritur në zonën ajrore të Izraelit.

Si kanë ndihmuar aleatët e Izraelit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se forcat amerikane “kanë ndihmuar Izraelin për t’i rrëzuar gati të gjithë” dronët dhe raketat e lëshuara nga Irani të dielën. Në një deklaratë, ai ka thënë se SHBA-ja ka lëvizur avionë dhe anije luftarake në rajon para sulmit të paprecedent.

Dy avionë luftarakë dhe dy shkatërrues ishin përfshirë në ndalimin e breshërive. Shkatërruesit kanë vendosur në pozicion sistemin e mbrojtjes raketore “Aegis” për të rrëzuar të paktën tri raketa balistike.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka thënë se forcat e saja kanë shkatërruar më shumë se 80 dronë dhe të paktën gjashtë raketa balistike.

Në mesin e këtyre ishin një raketë balistike dhe shtatë dronë, të cilët ishin shkatërruar në tokë në zonat e kontrolluara nga Houthit e Jemenit. U shkatërruan para se të lëshoheshin.

Duke operuar nga baza të panjohura të rajonit, forcat amerikane kanë rrëzuar një numër të dronëve iranianë mbi Sirinë Jugore afër kufirit me Jordaninë, kanë thënë forcat e sigurisë.

Megjithatë Giora Eiland, ish-kryesues i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Izraelit, ka thënë se kontributi më i madh i SHBA-së në operacionin e mbrojtjes ka qenë inteligjenca, të cilën ai e ka përshkruar si “jashtëzakonisht të saktë”.

Dhe ai ka thënë se një sistem kompleks komandimi dhe kontrolli i vendosur në mes të SHBA-së, Izraelit dhe fqinjëve arabë, katër vjet më parë, u tregua efektiv në zbulimin dhe trajtimin e kërcënimeve.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, ka konfirmuar se avionët e Mbretërisë së Bashkuar “Typhoon” gjithashtu kishin rrëzuar një numër të dronëve sulmues iranianë. Sunaku ka thënë se sulmi iranian ishte “përshkallëzim i rrezikshëm dhe i panevojshëm” dhe e dënoi fuqishëm atë. 

Jordani -  i cili ka një traktat paqeje me Izraelin, por që ka qenë gjithashtu shumë kritikues ndaj mënyrës që ka përdorur Izraeli për të zhvilluar luftën kundër grupit palestinez Hamas në Gaza – gjithashtu ka ndaluar objekte fluturuese që kanë hyrë në zonën e vet ajrore për “sigurinë e qytetarëve të vet”, ka thënë një deklaratë e kabinetit jordanez.

Eilandi ka thënë se Jordani ka avancuar sistemet e radarëve dhe raketat ajrore, duke shtuar se pilotët e avionëve “F-16” kanë treguar se mund të operojnë me sukses gjatë natës.

Franca ka ndihmuar me patrullimin ajror, por nuk ka qenë e qartë nëse ka rrëzuar ndonjë dronë ose raketë, ka thënë ushtria izraelite. 

Sa raketa kanë goditur vendin dhe sa dëme kanë shkaktuar?

Në Jerusalem është raportuar se janë dëgjuar sirena dhe janë parë sistemet e mbrojtjes raketore izraelite në operacion.

Disa nga raketat balistike kanë kaluar dhe kanë goditur territorin izraelit, ka thënë Hagari.

Njëra nga to “ka goditur lehtësisht” bazën e forcave ajrore “Nevatim” në shkretëtirën Negev në jug të Izraelit. Hagari ka thënë se baza është duke “funksionuar akoma”.

Dy zyrtarë të SHBA-së kanë thënë se pesë raketa balistike i kanë shmangur mbrojtjet ajrore dhe kanë goditur territorin izraelit.

Katër kanë rënë në bazë – ku gjenden avionët luftarakë “F-35” të vendit – e cila, sipas zyrtarëve, ka qenë shënjestra kryesore e Iranit.

Një raketë ka goditur një pistë, një tjetër një hangar të zbrazët të avionëve dhe një tjetër një hangar që ishte jashtë përdorimit. Një raketë e pestë balistike është dukur ta ketë shënjestruar një zonë me radar në veri të Izraelit, por nuk ka arritur ta godasë shënjestrën.

Nga 120 raketat balistike të lëshuara nga Irani, gati gjysma e tyre kanë dështuar të lëshohen ose janë rrëzuar në mes të fluturimit, ka thënë një nga zyrtarët. 

Agjencia iraniane e lajmeve, IRNA, ka thënë se sulmi ka shkaktuar “dëme të rënda” në bazën ajrore. 
Një vajzë shtatëvjeçare ishte lënduar rëndë nga një copë e predhës, ka thënë Hagari. Vajza nga një komunitet arab afër qytetit jugor Arad është raportuar të jetë lënduar nga copëzat e një droni. Ajo është vendosur në kujdes intensiv.

Jordani gjithashtu ka thënë se disa copa të predhave kanë rënë në territorin e vet, të cilat “nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm të rëndësishëm ose lëndime në qytetarët e vet”.

Çfarë do të pasojë tani?

Kanali televiziv izraelit “Channel 12” ka cituar një zyrtar izraelit të paidentifikuar që ka thënë se do të ketë “kundërpërgjigje domethënëse” ndaj sulmit iranian.

Zona ajrore izraelite është rihapur, gjithashtu edhe ato të vendeve fqinje, por ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se konfrontimi me Iranin “nuk ka mbaruar akoma”.

Ndërkohë Irani ka paralajmëruar Izraelin se përgjigjja e tij “do të jetë shumë më e madhe sesa aksioni ushtarak i mbrëmjes së sotme nëse Izraeli hakmerret kundër Iranit”, ka thënë shefi i shtabit të forcave të armatosura iraniane, Mohammad Bagheri. 

Ai ka thënë se do të sulmoheshin gjithashtu bazat e SHBA-së, nëse SHBA-ja bëhet pjesë e ndonjë sulmi hakmarrës të Izraelit. 

Komandanti i IRGC-së, Hossein Salami, gjithashtu ka thënë se Teherani do të hakmerrej kundër çdo sulmi izraelit ndaj interesave, zyrtarëve ose qytetarëve të vet.

Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Naser Kanani, ka thënë se sulmet e Iranit kanë qenë akt i kufizuar vetëmbrojtjeje dhe ka thënë se vendet e Perëndimit duhet ta vlerësojnë “përmbajtjen” e Teheranit.

Në një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres u ka bërë thirrje të dyja vendeve “të qetësohen dhe të mos e përshkallëzojnë situatën”, meqë rajoni është në prag të luftës së shkallës së gjerë.

Udhëheqësit e G7, forum politik dhe ekonomik ndërqeveritar, që kanë mbajtur mbledhje me videokonferencë të dielën, kanë kërkuar përmbajtje dhe i kanë dënuar sulmet e Iranit.
Përgatiti: Latra Gashi