Republika Çeke do të kthejë ambasadorin në Moskë në muajt e ardhshëm, njoftoi të martën Ministria e Jashtme e vendit, shkruan Politico.
Marrëdhëniet midis vendeve janë përkeqësuar vitet e fundit për shkak të një skandali spiunazhi dhe pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Ambasadori i mëparshëm i Çekisë në Rusi, Vitezslav Pivonka, u tërhoq në maj. Ai e kryente këtë rol nga viti 2022.
“Vendet kryesore që janë aleatë strategjikë të Çekisë – si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara – kanë ambasadorë në Rusi. I uroj ambasadorit shumë forcë në këtë mision sfidues për të çuar përpara interesat çeke”, ka thënë në një deklaratë ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavsky.
Daniel Kostoval, diplomat me përvojë dhe ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, është miratuar nga Rusia dhe do të fillojë misionin në fillim të vitit 2025.
Marrëdhëniet e Moskës me Pragën u përkeqësuan në vitin 2021 kur shërbimet speciale çeke zbuluan se Rusia ishte pas një serie shpërthimesh në depot çeke të municioneve në Vrbetice në vitin 2014. Të dy vendet reduktuan numrin e diplomatëve në ambasadat e tyre.
Praga e kishte vënë në pikëpyetje nëse duhej të kishte ambasador në Moskë gjatë pushtimit ushtarak të Ukrainës, por presidenti Petr Pavel pati thënë në mars se ishte ende e rëndësishme që të kishte përfaqësim në Rusi në nivel ambasadori.