Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka këmbëngulur të shtunën në një takim me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, se çdo zgjidhje me Rusinë duhet të jetë "e drejtë”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zhvilloi bisedime trepalëshe me Zelenskyn dhe Trumpin në pallatin Élysée, duke diskutuar atë që presidenti i ardhshëm i SHBA-së e kishte quajtur një botë që ishte "pak e çmendur", raporton The Guardian.
“Të gjithë duam paqe. Por është shumë e rëndësishme që paqja të jetë e drejtë për të gjithë ne dhe që Rusia, Putini apo ndonjë agresor tjetër të mos ketë mundësi të kthehet kurrë”, ka thënë Zelensky sipas faqes presidenciale të internetit.
“Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme – një paqe e drejtë dhe garanci sigurie, garanci të forta sigurie për Ukrainën”, ka shtuar ai.
Disa orë pas takimit të tyre, administrata në largim e presidentit Joe Biden njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 988 milion dollarësh për Ukrainën.
Paketa përmban dronë, municione për raketa-hedhës me precizion Himars dhe pajisje dhe pjesë këmbimi për sistemet e artilerisë, tanket dhe automjetet e blinduara, ka bërë të ditur Pentagoni në një deklaratë.
Takimi i Zelenskyt me Trumpin pak para se të tre burrat të shkonin në Notre Dame për ceremoninë e rihapjes së katedrales së Parisit, ishte takimi i tij i parë ballë për ballë me Trumpin që kur ai fitoi zgjedhjet për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi ishte i një rëndësie të madhe për Zelenskyn, duke pasur parasysh frikën në Kiev se Trumpi, i cili dikur mburrej se mund t'i jepte fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës në 24 orë, mund t'i kërkonte Ukrainës që të bënte lëshime ndaj Moskës.
Udhëtimi në Paris është vizita e parë ndërkombëtare e Trumpit që nga fitorja e tij në zgjedhjet e 5 nëntorit