Në sondazhin e fundit, 69 për qind e votuesve kanë kërkuar sqarim nga presidenti për veprimet e bashkëshortes së tij. Në sondazhin e muajit dhjetor, 53 për qind e pjesëmarrësve besonin se sjelljet e zonjës së parë nuk ishin të duhurat.
Skandali i zonjës së parë të Koresë së Jugut, Kim Keon Hee, e cila dyshohet se ka pranuar një çantë luksoze, ka lëkundur partinë në pushtet.
Pamjet e publikuara në fund të vitit të kaluar shfaqin një pastor duke i dhuruar çantën “Christian Dior”, zonjës së parë të Koresë së Jugut.
Disa analistë kanë thënë se skandali kërcënon mundësinë e partisë së presidentit Yook Suk Yeol që të fitojë zgjedhjet e muajit prill.
Sondazhet kanë treguar se votuesit duan sqarime nga presidenti, teksa opozita e ka përdorur skandalin për ta sulmuar atë.
Videoja, e publikuar nga kanali i krahut të majtë “Zëri i Seulit”, besohet se është incizuar në fshehtësi nga pastori Choi Jae-young duke përdorur një kamerë të vendosur në orën e tij.
Në këtë video shihet pastori duke blerë çantën në vlerë prej 2 mijë e 200 dollarëve. Pastaj ka vizituar zonjën e parë në kompaninë që drejton. Ajo dëgjohet duke pyetur atë se “Përse vazhdon të më sjellësh gjëra të tilla?”.
Sipas mediave jugkoreane, çanta i është dhuruar zonjës së parë në shtatorin e vitit 2022.
Ani pse në video ajo nuk shihet duke pranuar dhuratën, gazeta “Korea Herald” ka raportuar se zyra e presidentit ka konfirmuar pranimin e çantës dhe se “është duke u mbajtur dhe ruajtur si pronë e qeverisë”. Zyra e presidentit ka njoftuar se do të adresojë këtë çështje deri në fund të muajit janar.
Në sondazhin e fundit, 69 për qind e votuesve kanë kërkuar sqarim nga presidenti për veprimet e bashkëshortes së tij. Në sondazhin e muajit dhjetor, 53 për qind e pjesëmarrësve besonin se sjelljet e zonjës së parë nuk ishin të duhurat.
Skandali është përhapur tre muaj para zgjedhjeve parlamentare në Korenë e Jugut. Përkrahja për presidentin Yoon ka rënë ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.
Analisti jugkorean, Rhee Jong-hoon, skandalin me çantën e ka cilësuar si “bombë politike”.
“Rreziku për Kim Keon Hee po shkon vetëm duke u rritur”, ka thënë Jon-hoon për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Partia demokratike në opozitë ka shfrytëzuar këtë çështje për të kritikuar Yoon dhe partinë e tij. “Nuk ka kuptim që zyra e presidentit dhe partia në pushtet të vazhdojnë të injorojnë këtë çështje dhe të flasin sikur një kërkimfalje do t’i jepte fund këtij problemi”, ka thënë kryeopozitari Hong Ik-pyo.
Me ligjet e Koresë së Jugut është e jashtëligjshme që zyrtarët publikë dhe bashkëshortet e tyre të marrin dhurata me vlerë më shumë se 1 milion yen në një herë, ose gjithsej 3 milionë yen brenda një viti fiskal. Skandali ka shkaktuar përçarje edhe brenda partisë së Yoon. Kjo është e fundit në një varg polemikash rreth zonjës së parë 51-vjeçare të Koresë së Jugut.
Opozita ka akuzuar prej kohësh bashkëshorten e presidentit Kim për përfshirje në manipulimin e çmimeve të aksioneve. Në fillim të këtij muaji, Yoon vuri veton ndaj një projektligji që kërkonte që gruaja e tij të hetohej mbi këto akuza.
Vitin e kaluar, qeveria e Seulit ka anuluar projektin e autostradës mes pretendimeve se nga ndërtimi i saj do të përfitonte financiarisht familja e zonjës Kim, duke rritur çmimet e tokës që familja e saj zotëron.