Botë

Burri në Kore dënohet sepse shtoi peshë për t’i ikur shërbimit ushtarak

Koreja e Jugut

Një burrë në Korenë e Jugut, që ka ngrënë deri në shkallë të obezitetit në mënyrë që t’i ikën shërbimit ushtarak, ka shmangur burgimin pasi megjithatë hoqi dorë dhe pranoi të kryejë këtë shërbim.

Burri, emri i të cilit s’u bë publik, u dënua me një vit burgim me kusht që të mos kryejë asnjë vepër në dy vjet nga një gjykatë në Seul për shkelje të Aktit të Shërbimit Ushtarak, shkruan CNN.

Atij iu ndalua shërbimi në qershor të vitit të shkuar pasi peshonte 102 kilogramë. Masa trupore u klasifikua si obeze, gjashtë vjet pasi kaloi testimet fizike fillestare për shërbim ushtarak.

“I pandehuri konsumoi ushqime me kalori të lartë, rreth dyfishin e porcioneve ushqimore, ndali aktivitetet fizike dhe pinte sasi të madhe të ujit para matjeve me qëllimin që të rrisë peshën”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Burri, mosha e të cilit s’u bë e ditur, tashmë “ka shprehur qëllimin që të përmbushë shërbimin ushtarak”.

Një person që e nxiti burrin të mbante regjimin ushqimor u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht për nxitje të shkeljes.

Që nga lufta e Koresë, të gjithë burrave në Korenë e Jugut u kërkohet të shërbejnë në ushtri për të paktën 18 muaj deri në moshën 28-vjeçare.

Kërkesa ka nxitur vazhdimisht reagime. Qindra refuzues janë dënuar me burgim, sipas “Amnesty International”.

Ky shërbim ka ndërprerë edhe karriera të yjeve botërore, përfshirë artistë e sportistë.

Siç kishte shkruar agjencia e lajmeve “Yonhap” më 2018, ka dhjetëra burra që qëllimisht shtojnë ose humbin peshë, shpikin sëmundje mendore e mbushen me tatuazhe apo vetëlëndohen vetëm që të mos kryejnë shërbimin ushtarak. 

Për dallim prej burrave, gratë janë të përjashtuara nga rekrutimi i detyrueshëm. Mund ta kryejnë vetëm vullnetaret.