Në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, burrat janë duke ndjekur disa “trajnime” për të mësuar punët e shtëpisë. Në trajnimet që mbështeten edhe nga Komuna, burrat ndër të tjera mësojnë edhe se si t’ua vendosin pelenat fëmijëve e si t’i bëjnë flokët gërsheta. Skema shënjestron mjediset e dominuara nga burrat – që nga fushat e futbollit dhe dyqanet e riparimit të automjeteve deri në stacionet e autobusëve dhe burgjet
(CNN) - Dhjetëra burra janë të grumbulluar afër një furgoni duke u përpjekur t’u vendosin pelena bebeve kukulla. Shumica janë burra të moshës së mesme, por ka edhe burra në pension dhe adoleshentë që po përpiqen ta bëjnë këtë.
“Nuk është keq meqë është hera e parë”, thotë Omar Jimenez, mësues dhe psikolog i trajnuar, ndërsa shikon njërën nga kukullat bebe të veshura nga njëri prej burrave. “Por ke mundur ta shtrëngoje pelenën më shumë. Besoj se nuk dëshiron që jashtëqitja e urina të dalin jashtë”, thotë ai.
Praktikanti, Sergio Rivera, tund kokën pak i zhgënjyer. Por si shumicës së burrave që janë duke marrë pjesë në këtë sesion në jug të Bogotës, 26-vjeçarit shihet se i nevojitet ende progres.
“Është interesante të mësosh këtë”, thotë Rivera, i cili është autik dhe për të cilin kujdeset nëna e tij. Prindërit e tij ishin divorcuar kur ai ishte shumë i vogël, duke e lënë nënën e tij të vetme të kujdesej për të dhe vëllain e tij të madh. “Nuk jam mësuar ta bëj këtë si fëmijë”, thotë ai.
Në këtë ditë të nxehtë burrat janë duke mbajtur trajnime 30-minutëshe për të mësuar gjërat bazike të tilla si përdorimi i lodrave për të luajtur me fëmijët dhe si t’i bëjnë gërsheta flokët e partneres së tyre.
Kjo seancë është pjesë e një programi më të gjerë të “Escuela de Hombres al Cuidado” ose “Shkolla e kujdesit për burra”.
Burra që mësohen të vendosin pelena
Që nga viti 2021, projekti radikal që drejtohet nga Komuna u ka mësuar burrave në të gjithë kryeqytetin e Kolumbisë se si të jenë partnerë, baballarë, vëllezër e bij më të mirë ose më të mirë në çdo rol tjetër mashkullor të përcaktuar nga shoqëria.
Autoritetet e qytetit besojnë se kjo iniciativë do të trajtojë në njëfarë mënyre shovinizmin e rrënjosur mashkullor në vend dhe të inkurajojë burrat të kontribuojnë në përkujdesje dhe punë shtëpiake, që ata thonë se është rrënja e pabarazisë gjinore të vendit.
“Nëna ime ka punuar shumë për të më rritur dhe për të më siguruar jetën mua”, thotë Rivera, i cili e ka parë rastësisht trajnimin, derisa një ditë ka qenë duke ecur rrugës. “Por kjo nuk duhet t’u lihet vetëm grave. Burrat duhet të ushtrojnë rolin e tyre gjithashtu”, thotë ai.
Një studimi nga Ministria e kulturës, sportit dhe rekreacionit e Kolumbisë ka treguar se iniciativa tashmë ka filluar të ketë ndikim. Një sondazh i vitit 2023 ka sugjeruar se burrat dhe gratë në Bogota kanë treguar se i ndajnë punët shtëpiake më shumë sesa në vitin 2021. Ka pasur gjithashtu ndryshim në besimin rreth roleve gjinore e ndihmuar nga burrat si Jimenezi.
Trajnimi për gërsheta
Pas një raundi të ndërrimit e vendosjes së pelenave, grupi kalon në një tjetër mësim për kujdesin. Kësaj radhe ata mësojnë se si bëhen flokët gërsheta. Ideja është se aktiviteti, sado i thjeshtë të duket, do të ndikojë që burrat që të jenë më mbështetës dhe më të vëmendshëm për partneret e tyre.
Katër koka kukullash me paruke kafeje janë të vendosura nën një tendë afër furgonit të Jimenezit, i cili udhëton nëpër qytet për të mbajtur mësime të tilla në vende të ndryshme çdo javë.
Burrat janë grumbulluar rreth tyre me hezitim. “Cila është gjëja kryesore kur vjen puna te gërsheti?”, pyet Jimenezi. “T’i lash duart!” bërtiti një i pranishëm me gëzim.
“A duhet të vendosim dorëza?”, pyet një tjetër burrë me pasiguri. “Këto janë sugjerime të mira”, u përgjigjet Jimenezi. “Por përgjigjja ime është: ta bëni me kujdes”, shton ai.
Burrat lëshojnë zëra entuziazmi sikurse u është zbuluar sekreti i universit dhe shpejt fillojnë punën në “sallonin e flokëve”.
Në mesin e tyre është edhe Luis Martinezi, ish-punonjës ndërtimi i cili është duke u munduar t’i bënte gërshetë flokët e kukullës me kujdes. Puna e tij intensive ka bërë që 67-vjeçari të kalojë rrallë kohë në shtëpi me gruan dhe tre djemtë e tij, por tani orari i tij është liruar dhe Martinez thotë se sesioni i ka ndihmuar atij të kuptojë se si të jetë një burrë më i mirë.
“Do ta bëj për partneren time”, thotë Martinezi. “Ajo e meriton këtë. Më parë e kam neglizhuar”, shton ai.
Këto trajnime janë përpjekje për ribalancim të pabarazisë gjinore në lidhje me punën e papaguar të kujdesit.
Hendeku i kujdesit gjinor në kryeqytetin e Kolumbisë është veçanërisht i theksuar. Rreth 1.2 milionë gra, që janë 30% e popullsisë së Bogotës, kujdesen për shtëpi, punë që nuk paguhet, mesatarisht 10 orë në ditë.
Të gjitha gratë, duke përfshirë edhe ato që punojnë, i dedikojnë mesatarisht 5 orë e 32 minuta punës së kujdesit çdo ditë, në krahasim me burrat që dedikojnë 2 orë e 19 minuta. Kështu, sipas sondazhit kombëtar për përdorimin e kohës të vitit 2017, gratë kalojnë më shumë se 13 orë duke punuar çdo ditë.
Nëse këto orë të mbajtura nga gratë do të paguheshin, ato do të përfaqësonin 13% të prodhimit të brendshëm bruto të qytetit (GDP).
Sipas një raporti të Organizatës Kombëtare të Punës (ILO), në vitin 2018 në mbarë botën kishte 647 milionë persona në moshë pune, që tërë kohën kryenin punë të shtëpisë, gjithçka që nga kujdesi i fëmijëve dhe të moshuarve, deri te gatimi e pastrimi. Rreth 94% e tyre (606 milionë) ishin gra.
Më gjerësisht, sipas të dhënave nga 88 vende dhe territore të mbledhura nga Organizata e OKB-së për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave (UN Women) mes viteve 2001 dhe 2017, gratë mesatarisht i përkushtojnë 18% të ditës së tyre kujdesit të papaguar dhe punëve të shtëpisë, në krahasim me burrat që u përkushtojnë këtyre punëve 7% të ditës së tyre. Në Afrikën Jugore dhe Azinë Perëndimore, të dhënat tregojnë se gratë kryejnë gjashtë herë më shumë punë të shtëpisë sesa burrat.
“Bota nuk do të funksiononte pa këto gra”, thekson Clara Alemann, drejtoreshë e programeve në “Equimundo”, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare që lufton kundër pabarazisë gjinore. “Ato kryejnë të vetmen punë që kërkohet për të ekzistuar të gjitha punët tjera. Por, puna e kujdesit akoma nuk identifikohet siç duhet”, thotë ajo.
Raporti i “Equimundos” i vitit 2023 për gjendjen e baballarëve në botë ka deklaruar nevojën që qeveritë në mbarë botën të "promovojnë përfshirjen e burrave në punën e kujdesit, të parandalojnë dhunën me bazë gjinore, të mësojnë vlerën e kujdesit dhe të promovojnë marrëdhënie të barabarta, jo të dhunshme dhe të kujdesshme".
Kjo është pikërisht ajo që po bën ekipi i Bashkisë së Bogotës, i nxitur nga bashkiakja e parë grua dhe homoseksuale e zgjedhur, Claudia Lopez, duke e bërë atë një nga qytetet e pakta në mbarë botën që ka nisur një revolucion në fushën e kujdesit.
“Gratë s’i kanë në ADN e punës e të shtëpisë”
Në vitin 2020, qyteti i Bogotës ka hapur të parën “qendër të kujdesit”. Këto qendra të lagjes ofrojnë shërbime të ndryshme falas për ata që kujdesen për punën e shtëpisë, duke përfshirë rrobalarjen, ndihmën ligjore, kujdesin ditor, mbështetjen psikologjike, sesione të gjuhës, testime për sëmundje seksuale të transmetueshme, joga dhe klasë për kërcim.
Shkurtimisht ato sigurojnë kujdes dhe mbështetje për kujdestarët, sikur nëna e Riveras, në një shkallë dhe shtrirje të paparë më parë.
“Një e treta e grave në Bogota ia përkushtojnë jetën e tyre kujdesit, por deri më tani nuk ka pasur asgjë për to”, thotë Diana Rodriguez, e cila ka zhvilluar iniciativën si ish-sekretare e çështjeve të grave në qeverisjen e Lopezit.
Qyteti që ka 7.5 milionë banorë tani ka 22 qendra kujdesi, të financuara përmes një buxheti publik prej 800 mijë dollarëve çdo vit dhe, sipas ekipit, qëllimi është të kenë 45 qendra funksionale kujdesi deri në vitin 2035.
Mes marsit të vitit 2021 dhe dhjetorit të vitit 2023, gati 250 mijë kujdestarë kanë përfituar nga këto shërbime, prej të cilëve 83% ishin gra, duke përfshirë 37 mijë persona që kanë marrë edukim për diplomat e shkollës së mesme dhe trajnime në fushën e teknologjisë e në gjuhën angleze. Rreth 38 mijë gra dhe familjet e tyre kanë marrë mbështetje, në mënyrë që të përmirësojnë edhe punësimin e tyre.
Ekipi, duke përfshirë edhe Rodriguezin, besojnë se rritja e pjesëmarrjes së burrave në punën e kujdesit do të jetë sfida më e madhe, për të cilët do të ndihmojnë “Shkollat e kujdesit për burrat”.
Në vitin 2021, Bogota ka nisur një program të ndarë nga “Qendrat e kujdesit” e njohur si “Kujdesi mësohet”, mbi bazën se kujdesi nuk është aftësi e lindur.
“Gratë nuk kanë lindur me ADN-në për të ditur si të kujdesen”, thotë Juan Cortes, lideri i “Shkollave të kujdesit për burra”. “T’i mëson si të pastrosh dyshemenë, si t’i bësh flokët e fëmijëve gërshetë dhe si të ndërrosh pelenën. Nuk është çështje gjenetike, por është çështje kulturore”, thotë ai.
Cortesi ka shpjeguar se skema ishte krijuar pas një numri të madh të thirrjeve që kishte marrë Bashkia në një linjë që kishte krijuar gjatë pandemisë nga burrat, të cilët kanë shprehur frustrim sepse nuk ishin në gjendje për t’u kujdesur për familjet e tyre pasi të dashurit e tyre ishin sëmurë ose kishin vdekur.
Pjesë e strategjisë është ofrimi i një sërë formatesh për klasat dhe shkuarja në vendet ku ndodhen burrat. Skema shënjestron mjediset e dominuara nga burrat – që nga fushat e futbollit dhe dyqanet e riparimit të automjeteve deri në stacionet e autobusëve dhe burgjet.
“Burrat dinë si të kujdesen, po vetëm në mënyra të tjera”
Në një Qendër kujdesi në distriktin jugor të Bogotës, Usme, dhjetëra burra në uniformë me xhaketa me ngjyrë teget, këmisha të kaltra dhe pantallona gri sillen sa andej-këndej nëpër klasë dhe përshëndeten. Shumica prej tyre kanë tatuazhe në qafë ose krah, zinxhirë të trashë argjendi dhe sasi të mëdha të xhelit në flokë.
Sot, grupi – të gjithë shoferë të autobusit, 95% e të cilëve janë burra në Bogotë – është duke marrë pjesë në pjesën e dytë të tri sesioneve “të bisedës”, me tema të xhelozisë, humbjes dhe frustrimit si pjesë të “Shkollës së kujdesit për burra”.
Natyra ndërvepruese dhe e hapur e këtyre bisedave synon shtresat që është veçanërisht e vështirë për t'u bindur kur bëhet fjalë për ndryshimin e mendësive.
Shoferët e autobusëve janë caktuar për të marrë vëmendje të veçantë pasi autoritetet kanë vënë re një nivel të lartë të aksidenteve rrugore në distrikt – diçka që e kanë lidhur me frustrimin dhe problemet për të menaxhuar zemërimin, sipas ekipit të “Shkollës së kujdesit për burra”.
“Çka është humbja dhe si e menaxhoni ju atë?” ka pyetur Jimenezi.
Diskutimet fillojnë në klasë, me burrat që flasin pa radhë dhe me zërin që ngritet vazhdimisht. Por më pas një shofer ngre dorën.
“Unë kam humbur gjyshen 15 vjet më parë”, thotë William Boye, shofer autobusi 31-vjeçar. “Akoma e ndiej dhimbjen. Por problemi është stigmatizimi në shoqëri. Ne nuk supozohemi të tregojmë emocione. Ne nuk mund të flasim për to”.
“Është e komplikuar”, thotë Ferley Saenz, 40-vjeçar, baba i dy djemve. “Nuk kemi pasur modelet më të mira prindërore për të mësuar nga ta”.
Disa nga grupi ishin rrahur me rrip kur ishin fëmijë, disa të tjerë ishin rritur pa baba. Dhe vetë Saenzi tregon se ishte rrahur nga babai kur vepronte gabimisht.
Për Jimenezin, të cilit i janë treguar histori sfiduese personale, qasja terapeutike është e nevojshme dhe efektive.
Disa nga burrat kanë bërë progres. Që nga fillimi i trajnimit në “Shkollën e kujdesit për burra” vitin e kaluar, Saenzi ka filluar të gatuajë për familjen e tij. Dhe bën përpjekje shtesë për të gjetur kohën të flasë me fëmijët e tij edhe nëse është i lodhur pas punës. “Po përpiqem të jem baba më i mirë”, thotë ai.
Ekipi është duke synuar të trajnojë të paktën 70% nga 600 shoferët dhe Bashkia është duke ndihmuar me lidhjet e saj me institucionet tjera publike për të gjetur më shumë burra.
Edhe pse grupi i Saenzit është i hapur për të folur, jo të gjitha grupet janë.
“Mund të jenë të pasjellshëm dhe agresivë”, thotë Cristina Soler, mësuese në “Shkollën e kujdesit për burra”. “Ekziston një kulturë e fortë e maskulinitetit të cilën duhet ta transformojmë. Por nuk mund t’u themi çfarë të bëjnë. Ne duhet të dëgjojmë eksperiencat e tyre. Nuk është e lehtë”.
Kultura e maskulinitetit në Kolumbi është e përhapur. Një sondazh i më shumë se 7000 njerëzve në Kolumbi, nga Bashkimi Evropian në vitin 2019, ka gjetur se 70% e të anketuarve ishin “mesatarisht seksistë”.
Seksizmi i rrënjosur ndikon në gjithçka, që nga mundësitë e punësimit deri te dhuna me bazë gjinore. Në vitin 2022, ka pasur 47.771 raste të raportuara të dhunës në familje në Kolumbi, ekuivalente me rreth një në çdo 11 minuta, sipas Institutit Kombëtar të Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Kolumbisë.
Më shumë se 400 mijë përfitues
Sipas sondazheve të vitit 2021 nga Ministria e kulturës, rekreacionit dhe sporteve, 51% e burrave në Bogota kanë rënë dakord se shumica e burrave besojnë se “duhet të ndihmojnë në shtëpi, por kjo nuk është përgjegjësi e tyre”.
Ekipi gjithashtu ka zbuluar se 76% e burrave kanë thënë se dëshirojnë të mësojnë të kontrollojnë emocionet e tyre më mirë, por nuk e dinë se si, 48% e burrave nuk e kanë parë babanë si figurë të rëndësishme gjatë rritjes së tyre, dhe 84% e burrave nuk e kanë përfshirë dashurinë si emocion që e ndjejnë për baballarët e tyre.
Që nga shkurti i vitit 2024, 400 mijë përfitues janë regjistruar në shkollat e kujdesit, në mesin e të cilëve më shumë se 9.800 burra kanë përfituar nga trajnimet, sipas ekipit. Gratë janë gjithashtu të mirëpritura për t’u bashkuar, sepse besohet se ato janë “aleatë esencialë” në transformimin kulturor, sipas liderit të “Shkollës së kujdesit për burra” Cortés.
“Prezenca dhe pjesëmarrja jo vetëm që zgjeron diversitetin e perspektivave dhe eksperiencës, por gjithashtu nxit solidaritetin dhe bashkëpunimin mes gjinive”, shton ai.
Në vitin 2021, gati 20% e burrave kanë rënë dakord se shumica e burrave nga Bogota besojnë se do të "humbnin burrërinë e tyre" nëse do t'u përkushtoheshin punëve të shtëpisë. Në përgjigjet e një pyetjeje të ngjashme në vitin 2023, 12% e burrave kanë rënë dakord se ata vetë mendonin se do “të humbnin burrërinë e tyre”.
Numri i burrave që kanë thënë se nuk ndihmojnë fare me punët e shtëpisë ishte afërsisht 5% në të dyja sondazhet. Përqindja e burrave që kanë rënë dakord se djemtë dhe vajzat "kanë nevojë për nënat e tyre më shumë se për baballarët" ishte gjithashtu relativisht e ngjashme në të dy sondazhet. Në vitin 2023, të anketuarit që besonin se gratë lindin me një "dhuratë natyrale" për t’u kujdesur ishin 45%.
Por, Cortési beson se ka "vizion më pozitiv" dhe ndërgjegjësim sa i përket punës së kujdesit shtëpiak në Bogota, me më shumë gra kujdestare, por ai shton se kjo mund të shtyjë që disa të vazhdojnë të mendojnë se gratë janë të predispozuara për t’u kujdesur.
“Ka ende shumë punë për t’u bërë nëpër botë për t’u arritur ndryshimi kuptimplotë”, thotë Clara Alemann. “Ne duhet t’u tregojmë burrave rolin e tyre në barazinë gjinore. Dhe ata duhet të avancohen”.
Përgatiti: Latra Gashi