Gjykata e lartë e Hong Kongut të martën ka burgosur 45 aktivistë pro-demokratë për 10 vjet, pas gjyqit historik që e ka ndëshkuar lëvizjen e dikurshme demokratike të qytetit dhe ka nxitur kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, raporton Reuters.
Në total, 47 aktivistë pro-demokratë janë arrestuar dhe akuzuar në vitin 2021 për komplot të përmbysjes së qeverisë, sipas një ligji të sigurisë kombëtare të vendosur nga Pekini, i cili shpall edhe dënime me burgim të përjetshëm.
Benny Tai, jurist, i identifikuar në aktgjykim si “kryetar” i planeve të aktivistëve, është dënuar me 10 vjet burgim, dënimi më i gjatë deri tani sipas ligjit të sigurisë kombëtare të vitit 2020.
Akuzat lidhen me organizimin e “zgjedhjeve parësore” jozyrtare në vitin 2020, për përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë për zgjedhjet e ardhshme legjislative. Aktivistët janë akuzuar për komplot për ta paralizuar qeverinë, duke u përfshirë në akte potencialisht shkatërruese nëse ishin zgjedhur.
Disa qeveri perëndimore e kanë kritikuar gjyqin. SHBA-ja e ka përshkruar si “të motivuar politikisht”, duke thënë se demokratët duhet të lirohen, pasi kishin marrë pjesë ligjërisht dhe paqësisht në aktivitetet politike.
Qeveritë kineze dhe të Hong Kongut thonë se ligjet e sigurisë kombëtare janë të nevojshme për ta rikthyer rregullin, pas protestave masive pro-demokracisë në vitin 2019 dhe rasti i demokratëve është trajtuar në përputhje me ligjet lokale.