Gjatë ditës së sotme kancelarit në ardhje i Gjermanisë, Friedrisch Merz, i nevojiten dy të tretat e shumicës për të mbështetur fondin posaçëm për investime në infrastrukturë prej 500 miliardë eurosh dhe lehtësimin e rregullave për huamarrje, ka raportuar “The Guardian”.
Kancelari në ardhje i Gjermanisë do të përballet me votimin kyç mbi planet për të zhbllokuar nivelin rekord të huamarrjes shtetërore, për të cilin ai argumenton se është i nevojshëm për të rritur shpenzimet ushtarake të vendit dhe për të nxitur rritje në ekonominë në rënie të Gjermanisë.
Përpara votimit vendimtar të Bundestagut të martën, Friedrich Merz është përballur me një breshëri ankesash nga opozita dhe nga brenda radhëve të tij se ai nuk po i bën bashkë nivelet historike të shpenzimeve të planifikuara – rreth 1 trilion euro – me kërkesat për reforma.
Merz synon të lëshojë një fond infrastrukturor prej 500 miliardë eurosh dhe të lehtësojë rregullat e borxhit – aktualisht të mbrojtura nga Kushtetuta – përmes parlamentit në largim, ku partitë që janë në favor të propozimeve – konservatorët e tij, Social Demokratët (SPD) dhe të Gjelbërit – kanë shumicën e nevojshme prej dy të tretave.
Merz, aleanca konservatore e të cilit CDU/CSU fitoi zgjedhjet federale të muajit të kaluar, arriti ta fusë në rend të ditës të Parlamentit, javën e kaluar në një garë të ngushtë përpara mbledhjes së parlamentit të ri më 25 mars, kur çdo iniciativë ligjore e tillë mund të ndalohet nga e ashtuquajtura pakicë bllokuese e ekstremit të majtë Die Linke dhe e ekstremit të djathtë AfD. Komisioni parlamentar për buxhet u dha dritën jeshile planeve të dielën.
Merz, megjithatë, ka nevojë për mbështetjen e pothuajse të gjithë deputetëve që kanë sinjalizuar gatishmërinë e tyre për të mbështetur skemën, pasi ai gjithashtu llogarit në disa ish-zyrtarë, duke përfshirë një ish-sekretar të përgjithshëm të CDU-së që Merz e shkarkoi në vitin 2023. Në llogaritjen aktuale ai ka rreth 30 vota mbi shumicën e dy të tretave në dhomën aktuale prej 736 anëtarësh që nevojiten për të lehtësuar rregullat e borxhit gjerman të përcaktuara me Kushtetutë.