Adoleshenti i dyshuar për vrasjen e një bashkëmoshatari dhe plagosjen e dy të tjerëve në Finlandë të martën, ishte bullizuar, ka bërë të ditur policia finlandeze.
Djaloshi 12-vjeçar është arrestuar jo shumë larg nga shkolla e tij në Vantaa, një orë pasi ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tre nxënësve, raportoi BBC.
Tri viktimat ishin po ashtu të moshave 12-vjeçare.
Dy vajzat e plagosura vazhdojnë të trajtohen në spital. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka konfirmuar për KOHËN të martën se njëra prej tyre është me prejardhje nga Kosova.
Ndërtesat publike në Finlandë i kanë ulur flamujt e tyre në gjysmështizë të mërkurën, në nderim të viktimave.
Policia ka bërë të ditur përmes një deklarate se i dyshuari ishte transferuar në fillim të këtij viti në shkollën Viertola në Vantaa, në veri të kryeqytetit Helsinki.
Sipas tyre, i dyshuari u ka thënë se ishte i bullizuar.
Policia ka nisur hetim për vrasje dhe tentimvrasje. Sidoqoftë, për shkak të moshës, i dyshuari nuk mund të mbahet përgjegjës dhe është dërguar në shërbimet e kujdesit social.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se i dyshuari i ka kërcënuar studentët edhe në rrugën e tyre për në zonën Siltamaki.
Sipas kanalit finlandez MTV Uutiset, djaloshi mbante një maskë dhe kufje për të eliminuar zhurmën, derisa po e kryente sulmin në shkollën Viertola.
Shkolla është rihapur të mërkurën, mirëpo Katri Kalske, nënkryetare e bashkisë Vantaa, ka thënë se ajo do të përfundojë mësimin më herët se zakonisht. Shkolla ka 800 studentë të moshave nga 7 deri në 16 vjeç.
LEXO EDHE: