Bullgaria po përpiqet të dëbojë azilkërkuesit sirianë pas rënies së Bashar al-Assadit, duke i shtyrë ata që të nënshkruajnë dokumente të “kthimit vullnetar”, ndonjëherë edhe me përdorimin e dhunës.
Organizata humanitare që punon me emigrantët në Ballkan “No Name Kitchen” (NNK) ka mbledhur prova të rritjes së ngacmimit të popullit sirian në kufijtë evropianë, që kur forcat e armatosura të opozitës siriane rrëzuan familjen Assad, duke i dhënë fund një regjimi të përgjakshëm 54-vjeçar, raporton The Guardian.
Raporti i NNK-së, i shqyrtuar nga Guardian, përfshin dëshmi, fotografi dhe dokumente se si Bullgaria po përpiqet të riatdhesojë mijëra azilkërkues sirianë, duke i nënshtruar ata ndaj pyetjeve të shumta rreth perspektivave të tyre për Sirinë për të justifikuar refuzimin e kërkesave të tyre.
Më 13 dhjetor, NNK-ja ka takuar njerëz që qëndronin në një qendër pritjeje në Harmanli, një qytet në Bullgarinë jug-qendrore, ku 200 sirianë, përfshirë gra dhe fëmijë, prisnin për t'u marrë në pyetje atë ditë.
Videot e siguruara nga NNK dhe të parë nga Guardian tregojnë dhjetëra azilkërkues të ndaluar në objekt, në pritje të marrjes në pyetje nga oficerët bullgarë.
Atje, sipas dëshmive të mbledhura nga aktivistët dhe punonjësit e ndihmës, autoritetet bullgare, shpesh me forcë, i detyronin ata të nënshkruanin një sërë dokumentesh, duke përfshirë dokumentet e kthimit vullnetar.
Thuhet se njerëzit janë mbajtur në dhomë derisa kanë nënshkruar.
“Shoku im tha që kur mbaron intervista, nuk mund të largohesh pa nënshkruar”, ka thënë një dëshmitar.
“Është dikush që ju pret brenda dhomës dhe ju thotë të firmosni këtu. Nuk mund të bësh asgjë, sepse mbi ty do të përdoret dhuna”, ka shtuar ai.
Një azilkërkues raportoi se dy të moshuar ishin rrahur para syve të tij.
“Përveç që rënia e Assadit u përdor për të detyruar njerëzit të nënshkruajnë dokumente të kthimit vullnetar, ndryshimi i regjimit po përdoret gjithashtu si një mundësi për të mohuar dhe kufizuar qasjen në të drejtën e azilit, duke hedhur poshtë pretendimet e njerëzve për bazën e ndryshimit të udhëheqjes dhe jo faktet e rastit të tyre individual”, thuhet në një raport të NNK-së.