Botë

Bullgaria mban zgjedhjet e shtata të përgjithshme në tri vjet

Bullgari

Foto: Associated Press

Qytetarët bullgarë kanë nisur të votojnë të dielën në zgjedhjet e shtata të përgjithshme në pak më shumë se tri vjet, teksa ka pak shpresë se do të formohet një qeveri e qëndrueshme që do t'i jepte fund paqëndrueshmërisë politike në rritje të vendit.

Lodhja e votuesve dhe zhgënjimi me politikanët kanë krijuar një mjedis ku zërat radikalë politikë, të ndihmuar nga dezinformimi i përhapur i Moskës, po minojnë me sukses mbështetjen e publikut për procesin demokratik dhe po rrisin popullaritetin e grupeve pro-ruse dhe të ekstremit të djathtë, raporton AP.

Zgjedhjet e shpeshta kanë një ndikim serioz në ekonominë e Bullgarisë dhe politikën e saj të jashtme.

Vendi rrezikon të humbasë miliarda euro në fondet e rimëkëmbjes së BE-së për shkak të mungesës së reformave.

Integrimi i plotë në zonën me kufij të hapur Shengen dhe pranimi në eurozonë ka të ngjarë të vonohen më tej.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit me orën lokale të dielën. Rezultatet fillestare të exit poll-it do të shpallen pasi qendrat e votimit të mbyllen në orën 20:00.

Sipas sondazheve të fundit të opinionit, mungesa e besimit të bullgarëve në zgjedhje do të rezultojë në një pjesëmarrje rekord të ulët të votuesve.

Të dhënat e Gallup World Poll tregojnë se vetëm 10% e bullgarëve besojnë në integritetin e zgjedhjeve të tyre, që del të jetë përqindja më e ulët në BE, ku mesatarja është 62%.