Zyrtarët doganorë të Bullgarisë kanë konfiskuar rreth 170 kilogramë kokainë nga një anije që transportonte banane nga Ekuadori, kanë thënë prokurorët bullgarë të martën.
Prokurori Georgi Chinev ka thënë se kokaina ishte e fshehur në një prej kontejnerëve të frutave në anijen Madison 2, e cila po ashtu bëri një ndalesë në Maltë. Ai vlerësoi se kokainë ishte në vlerë prej 6.2 milionë eurosh, raportoi AP.
Sipas drejtoreshës së Doganës, Petya Bankova, ky ishte konfiskimi i drogës në sasinë më të madhe ndonjëherë në portin e Burgasit.
Ajo ka thënë se kokaina ishte e futur në 150 pako fshehur pas një muri të ndërtuar në një prej kontejnerëve.
Hetimi ka nisur për rastin dhe përgjegjësit mund të përballen me 20 vjet burgim nëse dënohen.
Bullgaria, e cila ka ndërmarrë veprime në vitet e fundit kundër trafikimit të drogës, konsiderohet si pikë transiti për kokainën nga Amerika Latine në rrugët e Evropës perëndimore.