Botë

Bullgarët votojnë për parlamentin e ri krahas zgjedhjeve për BE-në

Zgjedhjet në Bullgari

Zgjedhjet në Bullgari

Foto: Associated Press

Bullgarët po votojnë për ta zgjedhur parlamentin e ri të dielën, ndërsa po marrin pjesë gjithashtu në zgjedhjet e Bashkimit Evropian, të cilat janë lënë në hije nga paqëndrueshmëria e brendshme politike dhe pabarazia ekonomike, si dhe shqetësimi në rritje për luftën në Ukrainën e afërt.

Këto janë zgjedhjet e gjashta parlamentare të Bullgarisë në tre vjet, raporton AP.

Ka shqetësime se lodhja e votuesve dhe zhgënjimi i gjerë me politikanët që nuk përmbushin premtimet për të luftuar korrupsionin dhe për të futur reforma, mund të rezultojë në një pjesëmarrje të ulët dhe një parlament tjetër të fragmentuar.

Rezultatet paraprake priten të hënën në votimin për 240 vendet në Asamblenë Kombëtare dhe për 17 deputetë në Parlamentin Evropian.

Kandidatët kryesorë në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare janë partia e qendrës së djathtë GERB e udhëhequr nga tre herë kryeministri, Bojko Borisov dhe koalicioni reformist “Ne Vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike”.

Pas zgjedhjeve të korrikut të kaluar, dy grupet rivale u përpoqën të thyejnë ngërçin politik duke formuar një koalicion qeverisës jo të qetë, por ai mbijetoi vetëm nëntë muaj.

Në fushatën për zgjedhjet e fundit, të dyja palët ngritën akuza për korrupsion kundër tjetrës.

Bullgaria është anëtari më i varfër i Bashkimit Evropian dhe rrezikon të humbasë miliarda euro në fondet e rimëkëmbjes së BE-së për shkak të mungesës së reformave. Integrimi i plotë në zonën me kufij të hapur Shengen dhe pranimi në eurozonë ka të ngjarë të vonohen më tej. Bullgaria është gjithashtu anëtare e NATO-s.