Botë

Brutaliteti në kufijtë evropianë - Policia kroate akuzohet për djegien e pasaportave të azilkërkuesve

Brutaliteti në kufijtë evropianë - Policia kroate akuzohet për djegien e pasaportave të azilkërkuesve

Forcat e policisë kufitare të Kroacisë po djegin rroba, telefona e pasaporta të sekuestruara nga azilkërkuesit që tentuan të kalonin në Bashkimin Evropian para se t’i kthenin në Bosnje.

Një raport me fotografi të gjësendeve të djegura, bashkë me dëshmitë për sulme seksuale dhe rrahje të kryera nga policia, që i ka parë “The Guardian”, janë provat e fundit të supozuara të brutalitetit ndaj njerëzve që migrojnë në kufijtë e BE-së.

Çdo ditë, mijëra njerëz nga Azia, Lindja e Mesme, veriu i Afrikës dhe Kina, tentojnë të kalojnë përmes Ballkanit për të arritur në BE. Ka pak objekte, dhe njerëzit detyrohet të kalojnë pjesën më të madhe të udhëtimit nëpër kampe të improvizuara e stacione treni.

Shumë ndalohen nga policia kufitare kroate dhe kontrollohen, me disa që raportohet se grabiten dhe me dhunë dërgohen prapa në Bosnje, ku mijëra azilkërkues mbeten të bllokuar në temperatura të ftohta.

Shtytjet e tilla si drejt Bosnjës, janë shkelje e të drejtës ndërkombëtare sipas së cilës azilkërkuesit duhet ta kenë mundësinë ta paraqesin kërkesën për azil sapo të jenë brenda kufijve të një shteti.

Organizata “No Name Kitchen” ka renditur lokacionet ku ka parë tetë grumbuj që digjeshin, me policët kroatë që dyshohen se kanë djegur gjësendet personale dhe dokumentet e nevojshme për të aplikuar për azil sapo të arrijnë BE-në.

Telefonat e djegur po ashtu përmbanin prova të abuzimeve të kryera nga policia, si fotografi e video të shkrepura nga azilkërkuesit, ka thënë organizata.

Në dhjetor 2023, një marokene shtatzënë 23-vjeçe ka thënë se ishte sulmuar seksualisht nga zyrtarët kroatë para se t’ia digjnin gjësendet që kishte me vete asaj dhe të tjerëve në grup me të.

Pavarësisht dëshmive nga punonjësit humanitarë dhe gazetarët, Kroacia vazhdimisht ka mohuar se ka kthyer në Bosnje azilkërkuesit ose se ka përdorur dhunë ndaj tyre.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme kroate ka thënë se shteti ka “zero tolerancë për çdo aktivitet potencial të paligjshëm të kryer nga personeli i tij” dhe se Kroacia ka mekanizëm të pavarur për mbikëqyrjen e policisë.

Në vitin 2019, pa muajsh mohimesh, presidentja e atëhershme kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, u duk se i pranoi publikisht shtytjet me forcë në Bosnje. Ajo pohoi se policia përdori forcë, por mohoi se këto shtytje ishin të paligjshme.