Botë

Britania kërkon t’i ndalojë martesat mes kushërinjve

martesa

Ndërsa martesa mes kushërinjve mund të çojë në efekte shëndetësore “të rënda” te pasardhësit, një ndalim do të ishte “i dëmshëm” dhe “i pazbatueshëm”, kanë paralajmëruar ekspertët para një debati parlamentar për këtë.

Një projektligj ishte prezantuar në dhjetor në Britani që propozonte ndalimin e martesave mes kushërinjve. Deputeti Richard Holden që e paraqiti pati thënë se kjo praktikë paraqet “rreziqe për shëndetin, lirinë”. Projektligji do të hyjë në lexim të dytë të premten.

Martesa mes kushërinjve rrit rrezikun e pranisë së “gjeneve të gabuara” nga të dy prindërit, duke çuar në shans më të madh të sëmundjeve, si hemofilia, sindromi Cohen apo distrofia muskulare.

Projektligji ka nxitur debat mbi ndikimin në shëndetin publik dhe liritë civile, me ekspertët që thonë se edukimi është mënyrë më e mirë për ta ulur këtë trend.

Profesori Neil Small, i cili ka punuar në një studim mbi shëndetin e njerëzve, ka thënë se çështja do të zgjidhej më mirë me edukimin rreth rreziqeve. Ai ka shtuar se projektligji do të kërkonte që çiftet të nënshkruanin një deklaratë ose t’i nënshtroheshin testimit gjenetik, dhe meqë shumica e martesave të tilla në Britani bëhen nga myslimanët, mund të rezultojë në më pak njerëz që ndjekin procedurat zyrtare.

“Nëse dekurajon njerëzit nga kurorëzimi, ua heq mbrojtjen me ligj nëse diçka shkon keq. Shpesh është disavantazh për gratë dhe disavantazh shëndetësor”, ka thënë ai.

Një zëdhënës për komunitetin islam “Ahmadiyya” në Britani, që përfaqëson 30,000 myslimanë atje, ka thënë se një projektligj “i dëmshëm” do t’i kufizonte liritë fundamentale” dhe se “martesat brenda familjeve shpesh nënkuptojnë mbështetje, stabilitet dhe dashuri brenda rrethit familjar”.