Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi për t'ia paraqitur Shteteve të Bashkuara.
Starmer ka deklaruar se plani ka dalë pas bisedimeve midis liderëve të katër vendeve pas tensioneve të premten në Zyrën Ovale ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, raporton AP.
Kryeministri i ka thënë BBC-së se beson se presidenti amerikan dëshiron një paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Ai ka përsëritur pohimin e tij se garancitë amerikane të sigurisë do të nevojiten për ta bërë planin të qëndrojë.
Starmer po pret një samit të liderëve evropianë në Londër të dielën për të diskutuar lidhur me Ukrainën.
Por samit është lënë në hije nga qortimi i jashtëzakonshëm i presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të premten për siç ka thënë, mosmirënjohjen për mbështetjen e SHBA-së.
Takimi i Londrës tani ka marrë një rëndësi më të madhe në mbrojtjen e aleatit të shkatërruar nga lufta dhe për të mbështetur mbrojtjen e kontinentit.
Takimi në Lancaster House, një rezidencë elegante 200-vjeçare pranë Pallatit Buckingham, pason një ofensivë javën e kaluar për t'u angazhuar me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë për ta vendosur Ukrainën në qendër të negociatave dhe për të anuar besnikërinë e tij drejt Evropës.
Kryeministri britanik Keir Starmer, i cili po pret liderët e dhjetëra vendeve dhe zyrtarë të tjerë, ka deklaruar se është i vendosur t'i gjejë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.