Qeveria britanike ka njoftuar të enjten për ndihmë të mëtejshme ushtarake prej 450 milionë funte për Kievin zyrtar, raportoi BBC.
Rreth 350 milionë funte do të sigurohen prej Britanisë së Madhe, me financime shtesë nga Norvegjia përmes Fondit Ndërkombëtar për Ukrainën, të udhëhequr nga vetë britanikët. Pakoja ushtarake përfshin gjithashtu 160 milionë funte për të ofruar riparime dhe mirëmbajtje për pajisjet ushtarake që Britania i ka dërguar deri më tani Ukrainës.
Njoftimi për ndihmën shtesë ka ardhur pas samitit të mbajtur midis ministrave të Mbrojtjes të mbi 30 vendeve në selinë e NATO-s në Bruksel.
Samiti i thirrur nga sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, dhe homologu i tij francez, Sebastien Lecornu, kishte për synim avancimin e planit për mbështetjen e Ukrainës përmes krijimit të një force paqeruajtëse në rast të një marrëveshjeje eventuale të paqes me Rusinë.