Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se është i përgatitur të vendosë trupat britanike në terren në Ukrainë nëse ka një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.
Ai e ka pranuar se kjo mund t'i vërë forcat e Mbretërisë së Bashkuar në rrezik nëse Vladimir Putini fillon një tjetër sulm, raporton The Guardian.
Kjo është hera e parë që kryeministri britanik ka deklaruar në mënyrë eksplicite se po konsideron vendosjen e paqeruajtësve britanikë në Ukrainë. Komentet e tij u bën pak përpara bisedimeve urgjente me liderët evropianë në Paris të hënën.
Udhëheqësit do të synojnë të hartojnë një strategji në përgjigje të shtytjes së presidentit amerikan, Donald Trump, për një marrëveshje me presidentin rus, dhe ndaj frikës se SHBA-ja do të reduktojë angazhimet e saj të mbrojtjes në Evropë.
Në një shkrim për “Daily Telegraph”, Starmer ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është "e gatshme të luajë një rol udhëheqës" në mbrojtjen dhe sigurinë e Ukrainës.
“Nuk e kam të lehtë ta them këtë. Ndjej thellësisht përgjegjësinë që vjen me vënien e mundshme të ushtarakëve dhe grave britanike në rrezik”, është shprehur Starmer.
“Por çdo rol në ndihmën për të garantuar sigurinë e Ukrainës ndihmon për të garantuar sigurinë e kontinentit tonë dhe sigurinë e këtij vendi. Fundi i kësaj lufte, kur të vijë, nuk mund të bëhet thjesht një pauzë e përkohshme përpara se Putini të sulmojë sërish”, ka shtuar ai.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar kanë refuzuar të konsiderojnë dërgimin e ushtarëve britanikë atje.