Izraeli ishte nën presion që të prezantonte faktet se nën spitalin më të madh të Gazës ndodhej rrjeti i tuneleve të Hamasit. Gjatë javës disa gazetarë ndërkombëtarë kanë hyrë në njërin prej këtyre tuneleve që ka zbuluar ushtria izraelite nën spitalin Shifa
Një gazetar i agjencisë së lajmeve “Associated Press” është ftuar nga ushtria izraelite në tunelet nën spitalin Shifa, të cilat janë zbuluar pas bastisjes nga ushtarët.
Në këto tunele është gjetur armatim dhe besohet se këtu janë mbajtur edhe pengjet izraelite, shumica prej të cilëve u liruan të premten dhe të shtunën.
Ushtria izraelite ka marrë një grup të gazetarëve ndërkombëtarë, të cilët janë lejuar të incizojnë tunelet nën spitalin më të madh të Gazës.
Dhjetëra ushtarë kanë shoqëruar gazetarët në tunelin e ngushtë prej betoni. Ushtria izraelite ka thënë se tuneli kryesor ka gjatësi prej 150 metrave.
Koloneli me nofkën Elad ka prezantuar njërin prej tuneleve për gazetarët ndërkombëtarë.
“Siç mund të shihni është tunel i madh. Gjithashtu ka dhoma në të cilat mund të qëndrosh për kohë të gjatë. Ata kishin edhe kuzhinë. Kishin edhe tualete. Kishin dhomën me kondicioner, dua të them se ata mund të qëndronin këtu për kohë shumë të gjatë dhe të mbroheshin. Ata përdorën civilët dhe spitalet për t’u mbrojtur pas asaj që bënë”, ka thënë koloneli izraelit.
Ushtria izraelite qëkur bastisi spitalin Shifa dhe largoi palestinezët nga hapësirat e spitalit ishte në presion që të prezantonte fakte se Hamasi po përdorte tunele nën spital.
Prezantimin e fakteve e ka bërë para syve të gazetarëve ndërkombëtarë. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, thotë se Hamasi ka përdorur spitalet si mburojë.
“Doja që ju ta shihnit me sytë tuaj, jo nga sytë e ushtarëve, mënyrën se si Hamasi ka përdorur spitalet si mburojë njerëzore. Është krim lufte. E keni parë me sytë tuaj. Shifa është spitali më i madh në Gaza dhe me hapësirën më të madhe të terrorit nga Hamasi. Komandantët e kanë përdorur si bazë dhe kanë lëshuar raketa nga këtu. Spitali ka qenë si hyrje në tunele dhe si dalje në rrugë. Ky ishte sistemi”, ka thënë Hagari.
Hamasi dhe administrata e spitalit Shifa kanë mohuar akuzat e Izraelit, duke i cilësuar bombardimet ndaj spitaleve si krim lufte.
Para se të arrihej marrëveshja e armëpushimit, spitali Shifa ishte caku kryesor i ushtrisë izraelite, që vazhdimisht ka insistuar se Hamasi përdor hapësirat e spitalit për operacionet e veta ushtarake.
Fushata e ashpër ajrore e Izraelit ka bërë rrafsh me tokë pothuajse të gjitha lagjet e Gazës. Nga këto bombardime janë vrarë më shumë se 14 mijë palestinezë.
Izraeli numrin e madh të të vrarëve e ka arsyetuar si çmimi i pashmangshëm i luftës me militantët të cilët, sipas ushtrisë izraelite, përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe lansojnë raketa nga lagjet e mbipopulluara të Gazës.
Ushtarët izraelitë kanë prezantuar para gazetarëve ndërkombëtarë edhe armatimin që ka gjetur në spitalin Shifa, përfshirë dhjetëra kallashnikovë, 20 granata dore dhe disa dronë.
Ushtria izraelite beson se në spitalin Shifa ishin fshehur disa prej 240 pengjeve izraelite, dhjetëra prej të cilëve janë liruar në bazë të marrëveshjes së armëpushimit prej katër ditësh.