Botë

Brenda takimit sekret që u përpoq t’i ndalonte luftërat vdekjeprurëse mes rap-artistëve

Quincy Jones Foto: AP

Quincy Jones

Foto: Associated Press

Në vitet ’90 ka pasur përplasje vdekjeprurëse mes rapit të Bregut Perëndimor dhe lindor të Amerikës. I shqetësuar për përçarjen dhe situatën e tensionuar, producenti legjendar, Quincy Jones, kishte mbajtur një takim sekret me artistët, ekzekutivët dhe burrështetasit afro-amerikanë, si përpjekje për t’i dhënë fund dhunës mes bandave.

Para se përplasja mes rapit të bregut lindor dhe perëndimor të viteve ’90 të dilte jashtë kontrollit me vrasjen e rap-artistëve, Tupac Shakur dhe Notorious BIG, producenti legjendar Quincy Jones kishte thirrur një takim sekret, në të cilin kishte bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës.

Teksa hip-hopi është zhvilluar nga rrugët drejt rrymës kryesore në të ’90-tat, rap-artistët dhe gangsterët që janë bërë të famshëm, kishin pak shembuj, të cilët e kanë kaluar rrugën para tyre.

Megjithatë, ishte një burrë, që i kishte kaluar të gjitha dhe kishte bërë gati gjithçka.

Quincy Jones, ishte pjesë e bandave dhe ishte therur me thikë në moshën 7-vjeçare në Chicagon e viteve ’30, para se të bëhej një nga fuqitë më të mëdha të muzikës amerikane, duke iu falënderuar punës me legjenda si Ray Charles, Frank Sinatra dhe Michael Jackson.

Ai ishte zemra e revolucionit të muzikës xhaz, swing, soul, funk, disko dhe pop – por një aspekt i karrierës së tij, që ka marrë më pak vëmendje kur ka vdekur në moshën 91-vjeçare, ishte roli i tij në hip-hop.

Jones, që vdiq më 3 nëntor, ishte i nderuar dhe admiruar në të gjitha zhanret e muzikës, përfshirë rapin. Ndryshe nga shumica e pjesëtarëve të grupit të vjetër dhe medias, ai e ka kuptuar menjëherë rëndësinë artistike dhe kulturore të skenës.

Hip-hopi i ka kujtuar atij xhazin bebop të rinisë së tij. “Ndiej një lidhje farefisnore përmes hip-hopit, sepse kemi kaluar shumë gjëra të njëjta”, kishte thënë ai.

“Quincy e ka kuptuar menjëherë”, ka thënë artisti pionier, rap-artisti dhe prezantuesi, Fab 5 Freddy.

Jones ka punuar me rap-artistët më të njohur të viteve ’80 dhe në të ’90-t, ai i ka vënë në dukje rreziqet, duke e përfshirë rivalitetin e paqëndrueshëm, që kishte filluar të shpërthejë midis kompanive konkurruese dhe yjeve.

Tupac Shakur Foto: AP

Shpresa se takimi i fshehtë do të ishte pikë kthese

Prandaj, ai i ka bërë bashkë artistët, ekzekutivët dhe burrështetasit afro-amerikanë të moshuar për një takim të fshehtë në vitin 1995, duke shpresuar se kjo do të ishte pikë kthese.

Bregdeti lindor ishte shtëpia shpirtërore e hip-hop-it. Në vitin 1992, Sean Combs - i njohur atëherë si Puffy dhe më vonë si P Diddy – ka lansuar kompaninë e tij diskografike, Bad Boy në New York, me artistë të njohur, duke përfshirë Notorious BIG, i njohur si Biggie Smalls.

Ndërkohë, përgjatë Amerikës, Los Angelesi është bërë ngadalë kryeqyteti i rapit të gangsterëve, i udhëhequr nga manjati kërcënues i Suge Knight, Death Row Records, pjesë e së cilës ishin Dr Dre dhe Tupacu.

Në vitin 1994, Tupacu është qëlluar dhe lënduar gjatë një grabitjeje në hollin e një studioje. Ai më vonë e ka lënë të kuptohej se ish-miku i tij, Biggie mund ta ketë ditur paraprakisht për sulmin. Biggie më pas e ka publikuar këngën “Who Shot Ya?”, për të cilën Tupacu mendonte se e ka shkruar për të.

Përplasja ka vazhduar edhe te ndarja e çmimeve nga revista “Source” më 3 gusht 1995, kur Knight ka provokuar P Diddyn dhe Bad Boy Records nga skena.

Jones, që kishte revistën e vet, “Vibe”, ka mbajtur takimin e tij tri javë më vonë.

Përplasja e nxehtë lindje-perëndim nuk ka qenë arsyeja e vetme që Jones e kishte thirrur takimin – kishte kryesisht synimin për ta diskutuar gjendjen e hip-hop-it dhe t’ia mundësonte brezit të ri dëgjimin e këshillave për jetën dhe biznesin nga një grup drejtuesish afro-amerikanë shumë të suksesshëm.

Por, imazhi negativ i rapit dhe tensionet në rritje kanë qenë qendra e bisedës.

“Ai e ka ditur se ky ishte problem në rritje, prandaj ideja e tij ishte të mblidhte së bashku një simpozium”, ka thënë Fab 5 Freddy, që po udhëhiqte Yo! MTV Raps në atë kohë dhe ishte moderatori i ngjarjes.

Jonesi u ka thënë të pranishmëve se “ai që me të vërtetë më ka shtyrë të them se tani është koha, është Tupacu”.

Megjithatë, Tupacu ishte duke munguar – ishte në burg për sulm seksual në atë kohë. Suge dhe Dre ishin në samit, bashkë me P Diddyn dhe Biggien.

Jonesi veç se e kishte provuar vetë përplasjen me Tupacun – rap-artisti e kishte kritikuar producentin në një botim të vitit 1993 të revistës “Source”, për martesën me gra të bardha.

“Ne më në fund u takuam, edhe pse kishte kushte të tensionuara në fillim”, ka thënë Jones në ngjarje. “Ne më në fund biseduam me njëri-tjetrin dhe ai më tha se askush nuk i ka folur ashtu më parë. Dhe i thashë, nuk mund të duroj më. Sepse nuk mund ta përballojmë më të jemi jopolitikë, dhe tani po flas me kombin e hip-hop-it”.

Rreth 50 artistë dhe ekzekutivë me influencë ishin në dhomë, duke përfshirë Chuck D të Public Enemy, anëtarë të A Tribe Called Quest, MC Lyte, Kris Kross, Jermaine Dupri dhe regjisorin e “Boyz n the Hood”, John Singleton. 

Jones ka shkruar në autobiografinë tashmë të pabotueshme të vitit 2001: “Isha i shqetësuar për diversitetin potencialisht të paqëndrueshëm të grupit, që nuk kishte qenë kurrë në të njëjtën dhomë së bashku”.

Atyre u janë bashkuar edhe ekzekutivët veteranë, Clarence Avant dhe Ahmet Ertegun, plus Colin Powelli, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare dhe kreu i ushtrisë amerikane, i cili do të bëhej sekretari i parë afro-amerikan i shtetit.

Powelli kishte ambicie presidenciale - kjo ishte arsyeja pse takimi është mbajtur në fshehtësi. Jonesi ka dashur ta shpëtonte Powellin nga publiciteti negativ që rrethonte dhe shoqëronte muzikën rap.

“Larg shtypit”

Ai i ka ndërruar vendet e organizimit në minutën e fundit për t’iu larguar shtypit dhe i ka konfiskuar regjistrimet.

“Të jeni të sigurt se sjelljet e mia bazohen në respektin e thellë që kam për ju dhe për miqësinë tonë të çmuar”, i ka shkruar Jones Powellit në një letër të pabotuar të mbajtur në Bibliotekën e Universitetit të Indianapolis. “E di se do ta bëni ndryshimin në këtë konferencë. Faleminderit për mënyrën se si e trajtuat situatën. Ndoshta mund ta zhvendosim drejtimin e betejës për një centimetër ose dy”.

Jones ka shkruar më vonë në librin e tij: “Disa nga rap-artistët e rinj as nuk e dinë kush ishte ai. Kur i ka trajtuar disa nga komentet më konfrontuese nga dyshemeja, Powelli e mbajti sjelljen e tij të Bronxit të Jugut dhe gjakftohtësinë autoritative gjatë gjithë kohës”.

Fab 5 Freddyt i është kujtuar një shkëmbim fjalësh mes Powellit dhe Knightit: “Pati një takim ku Knight kishte diçka për të thënë dhe Colin Powelli iu përgjigj”.

“Keni burrin që ishte gjeneral i lartë, i cili foli me Suge Knightin dhe ia tregoi Suges vendin e tij”, ka shtuar ai.

Jones më në fund ka publikuar një klip të ngjarjes në një dokumentar të Netflixit në vitin 2018, për jetën e tij.

Notorious Big Foto: AP

“Ka plumba të vërtetë atje, më besoni”

“Duhet të flasim seriozisht për atë me të cilën do të merreni”,  shihet ai duke u thënë të pranishmëve të mbledhur. “Ata nuk po luajnë, ka plumba të vërtetë atje, më besoni. Ndoshta fjalë për fjalë dhe figurativisht”.

“Është gjë shumë emocionale”, ka shtuar ai, me zërin e tij të çarë. “Dua t’ju shoh të jetoni të paktën deri në moshën time”.

“Quincy u emocionua”, ka thënë Fab 5 Freddy, “sepse ai e ndjeu se çfarë mund të ndodhte. Dhe më e keqja, për fat të keq, ndodhi”.

Jones në fund ishte pajtuar me Tupacun. Pas komenteve të Tupacut në vitin 1993, vajza 17-vjeçare e Jonesit, Rashida - e cila do të luante më vonë në sitcomin amerikan “The Office” - i ka shkruar një letër me zemërim revistës “Source”, duke e sulmuar rap-artistin.

Kur Tupac është takuar me një nga vajzat e tjera të Jonesit, Kidadan, ai i ka kërkuar falje, duke menduar se ajo ishte Rashida. Por, biseda mes Tupacut dhe Kidadas ka shkuar mirë dhe ata kanë filluar lidhjen.

“Edhe pse kishim një fillim të vështirë, pasi e njoha dhe e kuptova atë, e pashë potencialin dhe ndjeshmërinë e tij të madhe si artist dhe si qenie njerëzore”, ka shkruar Quincy Jones.

Ka pasur gjithashtu pretendime se Tupacu po planifikonte të largohej nga Death Row për kompaninë diskografike të Jonesit.

Por në shtator të vitit 1996, një vjet pas takimit, Tupacu është qëlluar me armë zjarri dhe është vrarë.

Ish-udhëheqësi i bandës, Duane “Keffe D” Davis, është akuzuar për vrasjen e tij vitin e kaluar. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Më pas në vitin 1997, Notorious BIG është qëlluar për vdekje jashtë një feste të organizuar nga shtëpia diskografike dhe revista e Jonesit. Akoma askush nuk është akuzuar.

Ndërkohë, Knight sot është në burg për aksident me makinë prej nga është larguar, teksa P Diddy është në pritje të gjyqit për akuzat për shantazh dhe trafikim seksual, të cilat ai i mohon.

Sipas Fab 5 Freddy, dhuna në të ’90-t “nuk ka qenë e nevojshme” dhe është shkaktuar nga “ata që përpiqeshin të bëheshin gangsterë dhe keqbërësit e lidhur me bandat” në skajet e industrisë së muzikës.

“Gjithashtu, përplasja e bregut lindor e perëndimor u ndez kryesisht nga xhelozia. Ishte zjarr në taketuke që u ndez në një zjarr akoma më të madh nga mediat, çka çoi në vdekjen e Biggiet dhe Tupacut”, ka thënë ai.

Pavarësisht pozitës së tij, as Jonesi nuk ka arritur t’i ndryshonte forcat e pushtetit dhe krenarisë që ishin në veprim dhe ta parandalonte gjakderdhjen.

Megjithatë, Freddy beson se në takim janë nxjerrë disa mësime dhe se Quincy Jones e meriton vendin që ka në historinë e hip-hop-it.

“Ishte e pabesueshme të ishe në atë dhomë. Ishte moment emocionues. Dhe pastaj u bë edhe më legjendar sepse nuk u publikua kurrë, kështu që të vetmit njerëz që dinin vërtet për të ishin njerëzit që ishin atje”, ka shtuar Fab 5 Freddy.