Më vitin 2022, El Salvadori ka përjetuar ditën më vdekjeprurëse në histori, kur bandat vranë 62 persona. Në përgjigje ndaj dhunës, Qeveria salvadoriane filloi goditjen e bandave në shkallë të gjerë. Presidenti Nayib Bukele bëri thirrje për një gjendje “përjashtimi”, e cila ia lejon shtetit t’i pezullojë disa ligje dhe të drejta kushtetuese në emër të së mirës publike. E në burgun famëkeq “Cecot”, të burgosurit vuajnë pasojat e rënda të kësaj
Rrezet e diellit futen brenda objektit të zymtë. Çatia e lartë dhe dyshemetë e lëmuara i japin pamjen e një stacioni hekurudhor ose hambari të aeroplanëve. Por ajri është i zënë. Përgjatë korridoreve të gjata janë të vendosura qelitë e mëdha, secila me dhjetëra burra brenda. Ky është “Cecot” – qendra e mbajtjes së terroristëve në El Salvador – dhe burrat janë të njohur si “më të këqijtë e vendit”.
Vrasësit, tregtarët e drogës dhe gangsterët, akuzohen se dikur e kishin mbajtur peng El Salvadorin, duke e mbushur kombin me frikë, teksa sundonin qytetet dhe rrugët. Sot, atyre u është hequr liria, ndikimi dhe individualiteti. Dhe ata mund të mos i rimarrin më kurrë ato.
Secili vesh një bluzë të bardhë me mëngë të shkurtra dhe pantallona të shkurtra. Disa kanë çorape të bardha dhe sandale. Shumë qëndrojnë të sigurt, madje sfidues, me krahë të kryqëzuar dhe të afruar afër grilave të qelisë, duke u munduar të shikojnë jashtë. Të tjerët ulen këmbëkryq pa lëvizur në krevate të marinarit që rrethojnë qelitë. Dhe të tjerët ndodhen më prapa, duke shikuar poshtë ose larg kalimtarëve, me maska, sikur nuk duan të shihen në kamera ose të marrin vëmendje. Duken sikurse ndihen të turpëruar.
“Cecoti” është hapur dy vjet më parë. Është veçori ikonike e “El Salvatorit të ri”, të presidentit Nayib Bukele. Nën udhëheqjen e tij, vendi i Amerikës Qendrore është transformuar. Dikur “kryeqyteti i vrasësve” i botës, tani është shumë më i sigurt, ku jeta dhe bizneset e familjeve janë rikthyer në rrugë. Por pastrimi i rrugëve me ashpërsi dhe trajtimi mizor i anëtarëve të bandave kanë shkaktuar shqetësime në mesin e organizatave të të drejtave të njeriut, të cilat e kanë cilësuar “Cecotin” si johuman dhe të papranueshëm.
Trajtimi i ashpër vërehet në tërë “Cecotin”. Secila prej dhjetëra qelive që shihen në Sektorin 4 janë të ndërtuara për të mbajtur 80 të burgosur ose më shumë. Të vetmet mobilie janë krevatet e hekurit të marinarit, pa mbuloja, jastëkë ose dyshekë. Ka një tualet të hapur, një legen çimentoje, një kovë plastike për larje dhe një enë të madhe për ujë të pijshëm. Qelitë janë shumë të pastra – një kontrast i qëllimshëm dhe i ashpër me burgjet e ndyta dhe të mjera të së kaluarës në El Salvador.
Burrat rrinë brenda këtyre qelive për 23 orë e gjysmë në ditë. Ata nuk punojnë. Atyre nuk u lejohen libra ose letra bixhozi ose letra nga shtëpia. Pjatat me ushqim vendosen brenda qelive gjatë kohës së vaktit dhe tërhiqen përmes hekurave. Pushimi ditor 30-minutësh është thjesht largim nga qelia nëpër korridorin qendror, për ushtrime grupore ose lexime të Biblës.

Nuk ka privatësi këtu, as shenja të rehatisë. Rojat e maskuara dhe të armatosura rrinë duke vëzhguar dhe zyrtarët e burgut thonë se dritat janë të lëshuara 24/7. Ekziston një qetësi e tmerrshme dhe ka zbrazëti në disa nga sytë e të të burgosurve.
Privimi është i qëllimshëm, ndryshe nga kohërat e para-Bukeles, kur thuhej se të burgosurit hanin më mirë se civilët.
“Tani, për mëngjes ata hanë fasule, djathë ose përzierje të orizit dhe fasuleve, ndoshta banane dhe një gotë kafe”, thotë drejtori i “Cecot”, Belarmino García. “Për drekë, oriz, pasta dhe pije. Darka është e njëjtë si mëngjesi. Mishi nuk ekziston këtu, pula gjithashtu e as menytë speciale”.
Jashtë luftës nuk ka dënime me vdekje në El Salvador, por gjithashtu nuk është e synuar që këta burra të lirohen ndonjëherë.
“Ne besojmë në rehabilitim, por vetëm për kriminelët e rëndomtë”, ka thënë Gustavo Villatoro, ministri i Sigurisë Publike të El Salvadorit, duke bërë dallimin mes “bashkëpunëtorëve” të bandave dhe anëtarëve të bandave.
“Dikush që çdo ditë ka vrarë njerëz, çdo ditë ka përdhunuar vajzat tona, si mund t’ua ndryshosh mendjen? Ne nuk jemi budallenj”, ka shtuar ai. “Në SHBA, imagjinojeni një vrasës serik në shtetin tuaj, ose komunitetin duke u liruar nga gjyqtari... si do të ndiheshit si qytetar? Ne nuk kemi fakte që dikush mund t’ua ndërrojë mendjen vrasësve serik... dhe kemi më shumë se 40 mijë vrasës të tillë në El Salvador – anëtarët e këtyre organizatave”.
“Doja të bëhesha gangster”
41-vjeçari Marvin Vásquez, ka qenë lideri i grupit MS-13. Ai është dorëzuar te autoritetet. Ai ka pranuar të intervistohet, me synimin që t’i dekurajojë të rinjtë nga ndjekja e hapave të tij. Duart dhe kyçet e tij janë të lidhura me pranga, ndërsa dy roje - me pajisje luftarake kokë e këmbë - qëndrojnë pranë tij.
Vásquez thotë se është rritur në Los Angeles dhe flet anglishte perfekte me siguri të plotë. Ai rrëfen për jetën që e ka çuar këtu me një lehtësi që përgënjeshtron brutalitetin e fjalëve të tij.
“Disa njerëz donin të bëheshin avokatë, policë, ushtarë”, thotë ai. “Unë doja të bëhesha gangster. Dhe doja të arrija gjithçka kisha në mendje. Dhe deri tani, mendoj se kam arritur gjithçka që kam dashur ta arrij”.
Vásquez, që është arrestuar para se të vinte Bukele në pushtet, thotë se i është bashkuar MS-13 si djalë, duke hipur nëpër grada. Ai madje ka krijuar edhe grupin e tij, “Crazy Criminals”, pasi është rikthyer në El Salvador. Kur është pyetur për krimet e veta, ai është përgjigjur me shumë qetësi.
“Vjedhje, vrasje, bëj çfarë duhet për të mbijetuar”, thotë ai.
Ai pohon se ka vrarë njerëz, ndërsa thotë se është penduar që u është bashkuar bandave.
“Po, kjo është jeta e gangsterëve”, thotë Vasquez. “Nuk e di t’ju them sa shumë. Ne nuk mendojmë se sa do të vrasim. Ne bëjmë çfarë duhet për të mbijetuar. Mendoj ndoshta 20, 30”.
Ai kujton se si “ka shpërthyer” një makinë plot me njerëz në SHBA.

“Ndoshta nuk është hotel me pesë yje, por është kështu për ne. Ata të japin ushqim. Të japin ca programe. Mund të ushtrosh, ke disa programe fetare gjithashtu. Por, jemi mësuar. Nuk ka opsion tjetër për ne. Kemi bërë gjëra të këqija. E paguajmë në mënyrë të rëndë”, thotë ai për jetën në “Cecot”.
Teksa përfundon biseda me Vásquezin, rojat e largojnë drejt qelisë së tij.
“Siç e patë, ata thonë kaq thjesht ‘po, kam vrarë, po e kam bërë këtë, kam bërë atë”, thotë shefi i burgut, García. “Çfarë kemi këtu janë më të këqijtë”.
Kullat e vrojtimit, gardhet e elektrizuara dhe rojat e armatosura
Anëtarë të bandave të ndryshme janë të vendosur bashkë. Përballë një qelie, një oficer i urdhëron të burgosurit t’i heqin bluzat e tyre. Ata e bëjnë shpejt, duke shfaqur tatuazhe të MS-13 dhe Barrio 18 – armiq të betuar jashtë, por brenda miq krevati.
Të gjithë ata që kryejnë “vepra të rënda” kundër të burgosurve ose stafit, i pret izolimi – qeli të çimentos, që mbajnë të burgosur për 15 ditë. Dhomat janë të errëta, përveç dritës së zbehtë nga çatia. Një legen i betonit, një tualet dhe një pllakë betoni për krevat janë mobiliet. Vaktet futen përmes një dere të vogël.
Të burgosurit nuk largohen kurrë nga sektorët. Dhomat e betonit mund të përdoren për konsultime ligjore dhe seanca dëgjimore të gjyqit përmes videove. Ka edhe staf mjekësor, për çdo trajtim të nevojshëm.
Nuk janë të lejuara vizitat nga familja ose shoqëria. Të ardhurit i dorëzojnë të gjitha gjërat personale dhe kontrollohen fizikisht, për kontrabandë. Njëmijë pjesëtarë të personelit të armatosur të sigurisë – roja, policë dhe ushtarë – janë të gatshëm të veprojnë nëse ka kërcënime nga jashtë ose brenda.
Burgu është i rrethuar nga disa rrethoja me rrymë me 19 kulla vrojtimi në objekt. Gjendet në një zonë rurale larg çdo qyteti. Pikat e kontrollit fillojnë përpara se të shihen ndërtesat, me automjete të kontrolluara dhe identitete të verifikuara.
“Cecot” është ndërtuar në vetëm shtatë muaj dhe është hapur në janar të 2023-s për të mbajtur deri në 40 mijë të burgosur. Për arsye sigurie, García nuk e tregon shifrën e saktë, por thotë se rreth 10 deri në 20 mijë të burgosur mbahen aty.
“Është shumë ekstreme”
Gjendja emergjente shtetërore, e shpallur nga Bukele në mars të 2022-s, ka çuar në arrestimin e rreth 81 mijë individëve – më shumë se 1 për qind e popullsisë së Salvadorit – si përpjekje për ta çrrënjosur influencën e bandave. Bukele ka pranuar se disa njerëz të pafajshëm janë arrestuar gjithashtu, ku 7000 prej tyre veçse janë liruar, sipas Qeverisë. Ai dhe shumë nga mbështetësit e tij argumentojnë se një dëm i tillë është pjesë e procesit të vështirë të transformimit të një kombi, të ndërlidhur për dekada me korrupsionin dhe dhunën.
“Pse kemi shkallën më të lartë të burgosjes në botë?”, ka pyetur Bukele. “Sepse ne e kthyem kryeqytetin botëror të vrasjeve në vendin më të sigurt në hemisferën perëndimore. Mënyra e vetme për ta arritur këtë është arrestimi i vrasësve… nuk kemi dënim me vdekje, kështu që duhet t’i burgosim të gjithë”.
Në fillim të vitit 2016, në këtë vend me vetëm gjashtë milionë banorë, çdo orë ndodhte mesatarisht një vrasje. Tani statistikat e qeverisë tregojnë se ka më shumë ditë pa vrasje, me gjithsej 104 vrasje të raportuara nga janari deri në shtator të këtij viti, një e treta e të cilave ishin si shkas i dhunës në familje.
Kritikët brenda dhe jashtë El Salvadorit vënë në dyshim vërtetësinë e të dhënave të qeverisë. Edhe nëse është e vërtetë, ata argumentojnë se kontrolli i rreptë i “Cecotit” dhe izolimi i të burgosurve e kalon kufirin në abuzimin e të të drejtave të njeriut.
“Abuzimi nis me mënyrën se si futen në burg dhe si mbahen brenda... është shumë ekstreme”, thotë Juan Carlos Sánchez, zyrtar i programin për Fondacionin “Due Process of Law”, i cili bën fushatë për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë Amerikën Latine.
“Për shembull, ushqimi i një personi në kujdestari shtetërore – sikurse në “Cecot” – është e drejtë njerëzore, që nuk mund të shkelet... duhet të ketë një dietë adekuate për ta, jo vetëm të mbijetojnë”.
Sánchez shton se ka shqetësime në lidhje me procesin e rregullt – ku “Cecoti” përdoret si për të dënuarit ashtu edhe për ata që po kalojnë ende në sistemin gjyqësor – dhe atë që ai e quan “kontroll shtypës”.
“Çfarë na shqetëson më së shumti, është se këta të burgosur futen në sistemin e mbylljes dhe humbin të gjitha kontaktet me botën e jashtme, përfshirë kontaktet me familjen... kjo ndikon te të tjerët, jo vetëm te të burgosurit”, thotë ai. “Nën këto kushte, nëse dalin ndonjëherë, nuk do të rehabilitohen... ata bëhen barrë e shtetit, shpejt sëmuren mentalisht dhe fizikisht, dalin jashtë të tërbuar”.
“Është thënë shumë për ‘Cecotin’ dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, por siç po shihni që gjithçka bëjmë ne - ndihmë mjekësore, duke u siguruar që ata ta ndjekin procesin e duhur… i gjithë operacioni bazohet në respektimin e rreptë të të drejtave të njeriut”, thotë García.
Për të, kufizimet e ashpra të “Cecotit” janë të justifikuara dhe të nevojshme, “barriera e fundit” mes këtyre kriminelëve dhe shoqërisë civile.
Një oficere qeveritare po viziton për herë të parë “Cecotin”. Një grua në të 20-at, ajo reflekton të kaluarën e saj në El Salvador dhe një kohë – disa vjet më parë – kur mbajtja e një telefoni në publik, ose qëndrimi natën vonë ishin të paimagjinueshme, si ftesë për vjedhje ose më keq.
“Mund të marr frymë më lirshëm tani”, thotë ajo, teksa pyet burrat e burgosur.
I ndërtuar për t’i mbajtur jehonat më të errëta të së kaluarës së El Salvadorit, “Cecoti” ndihet si qytet i izoluar, botë e ndarë, ku të burgosurit fshihen nga shoqëria.
Ripërtëritja e jetës jashtë mureve të burgut
Më shumë të burgosur mund të jenë rrugës për në “Cecot”, sepse goditja nuk ka përfunduar ende. Gjykata e Lartë e ka anuluar një ndalim kushtetues për mandatet e njëpasnjëshme presidenciale në favor të Bukeles dhe presidenti është mbrojtur dhe e ka fituar mandatin të dytë këtë vit. E ashtuquajtura gjendja e përkohshme e jashtëzakonshme tashmë ka më shumë se dy vjet.
Pas largimit nga “Cecoti”, gjendet një njësi prej rreth 2500 policësh dhe ushtarësh që patrullojnë një lagje në San Salvador, për mbetje të mundshme të aktivitetit të bandave. Trupat e armatosur ecin nëpër rrugicat e ngushta, me ndriçim të dobët, ndërsa familjet brenda shtëpive të tyre ulen në dukje të patrazuar, duke ngrënë darkë ose duke parë TV.
Kur është pyetur një burrë në mesin e të 50-ave se si ndihet me prani kaq imponuese ushtarake jashtë derës së tij, Salvador Molina tha se në fakt, ndihet i qetësuar nga ushtarët, duke vënë në dukje se kjo forcë e dukshme ishte arsyeja pse ai tani ndihet mjaft i sigurt për t’i lënë djemtë e tij adoleshentë të shkonin vetë në shkollë dhe në mbledhjet shoqërore.
“Unë i shoh ushtarët këtu me ne dhe sinqerisht kjo është mirë, ndihemi të sigurt, kjo mungonte më parë”, thotë Molina, i cili jeton me djemtë dhe nënën e tij. “Kam një djalë në fakultet dhe një tjetër në klasën e 7-të dhe falë Zotit, i lashë të shkojnë me besim. Më duhej ta çoja më të voglin në klasë dhe tani ai shkon vetë me autobus dhe nuk kam frikë se mos i ndodh diçka. Që kur presidenti mori detyrën, falë Zotit, ne kemi jetuar të qetë, diçka që nuk e kemi pasur me presidentët e mëparshëm”.
Burgun mund të shihet nga kryeqyteti dhe rrugët e zhurmshme të natës janë në kontrast të ashpër me brendësinë shkëlqyese, por të pashpirt të “Cecotit”, ku mbretëron heshtja dhe mbikëqyrja.
Por për kaq shumë salvadorianë, kontrastet shkojnë së bashku. Burgu ku anëtarët e bandave humbasin të gjithë fuqinë dhe autonominë e tyre u ka dhënë atyre lirinë për të jetuar.