Ushtria izraelite ka goditur qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, njoftuan autoritetet të premten, në ditën e tretë të luftimeve të ashpra në territorin palestinez. Ushtria izraelite pretendon se ka sulmuar një celulë terroriste.
Sulme të tilla ajrore, ndonëse të zakonshme gjatë luftës disamujore Izrael-Hamas në Rripin e Gazës, kanë qenë të rralla në Bregun Perëndimor.
Izraeli pretendon se bastisjet në veri të Bregut Perëndimor – të cilat kanë vrarë të paktën 19 njerëz, kryesisht militantë, që nga e marta vonë – kanë për qëllim parandalimin e sulmeve. Palestinezët i shohin ato si një zgjerim i luftës në Gaza dhe një përpjekje për të përjetësuar sundimin ushtarak prej dekadash të Izraelit mbi territor, raporton Associated Press.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka bërë të ditur se të paktën 663 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës.
Në Rripin e Gazës, ku Ministria e Shëndetësisë raporton se më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, një raketë izraelite goditi një kolonë që transportonte furnizime mjekësore dhe karburant në një spital në Rripin e Gazës, duke vrarë disa persona nga një kompani lokale transporti. Izraeli pretendoi pa prova se hapi zjarr për shkak se kishte persona të armatosur që e kishin kapur atë autokolonë.