Kriza e ushqimit

Bota shpërdoroi 19% të ushqimit të saj më 2022, thotë OKB-ja

Shpërdorimi i ushqimit

Shpërdorimi i ushqimit

Foto: Associated Press

Bota ka shpenzuar kot rreth 19% të ushqimit të prodhuar globalisht në vitin 2022, apo rreth 1,05 miliardë metrik tonë, sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Raporti i Indeksit të Mbetjeve Ushqimore të Programit Mjedisor të OKB-së, i publikuar të mërkurën, gjurmon progresin e vendeve për të përgjysmuar mbetjet ushqimore deri në vitin 2030, raportoi AP.

OKB-ja ka thënë se numri i shteteve që kanë raportuar për indeksin, pothuajse është dyfishuar, në krahasim me raportin e parë në vitin 2021. 

Sipas raportit të vitit 2021, 17% e ushqimit të prodhuar globalisht në 2019, apo 1,03 miliardë tonë, ishte shpërdoruar. Pavarësisht kësaj, analistët kanë paralajmëruar që të mos bëhen krahasime direkte, sepse më parë nuk kishte mjaftueshëm të dhëna nga shumë shtete. 

Studiuesit analizuan të dhënat e vendit për familjet, shërbimin ushqimor dhe shitësit me pakicë. Ata zbuluan se çdo person shpenzon rreth 79 kilogramë ushqim në vit, e barabartë me të paktën 1 miliard vakte të humbura në mbarë botën çdo ditë.

Pjesa më e madhe e shpërdorimit, apo 60% bëhet në familje. Rreth 28% bëhet në restorante apo shërbime të tjera të ushqimit, dhe 12% nga shitësit me pakicë. 

Raporti vjen në një kohë kur 783 milionë njerëz rreth botës përballen me uri kronike dhe shumë shtete përballen me krizë të thellë ushqimi. 

Lufta Izrael-Hamas dhe dhuna në Haiti e kanë përkeqësuar krizën, me ekspertët që thonë se uria është duke ndodhur në veri të Gazës dhe duke u përhapur në Haiti. 

Mbetjet e ushqimit janë gjithashtu një shqetësim global për shkak të kostos mjedisore të prodhimit, duke përfshirë tokën dhe ujin e nevojshëm për të rritur të korrat dhe kafshët dhe emetimet e gazit serrë që prodhon, duke përfshirë metanin, një gaz i fuqishëm që ka shkaktuar rreth 30 për qind të ngrohjes globale që nga koha paraindustriale.

Humbja e ushqimit dhe mbeturinat gjenerojnë 8 deri në 10 për qind të emetimeve globale të gazeve serrë. Nëse do të ishte një vend, do të renditej i treti pas Kinës dhe SHBA-së.

Fadila Jumare, një bashkëpunëtore e projektit me bazë në Nigeri e cila ka studiuar parandalimin e mbetjeve ushqimore në Kenia dhe Nigeri, ka thënë se problemi më tej dëmton shumë njerëz që përballen me pasiguri ushqimore dhe nuk mund të përballojnë dieta të shëndetshme.

"Për njerëzimin, mbeturinat e ushqimit do të thonë që më pak ushqim është në dispozicion për popullatën më të varfër”, ka thënë Jumare. 

Brian Roe, një studiues i mbetjeve ushqimore në Universitetin Shtetëror të Ohajos, i cili nuk ishte i përfshirë në raport, ka thënë se indeksi është i rëndësishëm për trajtimin e mbetjeve ushqimore.

“Çështja kryesore është se reduktimi i sasisë së ushqimit që shpërdorohet është një rrugë që mund të çojë në shumë rezultate të dëshirueshme - ruajtjen e burimeve, më pak dëme mjedisore, siguri më të madhe ushqimore dhe më shumë tokë për përdorime të tjera përveç si vendgrumbullim dhe prodhim ushqimi”, ka thënë Roe.

Raporti thotë se rishpërndarja e ushqimit - duke përfshirë dhurimin e ushqimit të tepërt për bankat e ushqimit dhe bamirësitë, është i rëndësishëm në trajtimin e mbetjeve ushqimore midis shitësve me pakicë.