Botë

Bota pajtohet për 300 miliardë dollarë ndihmë në vit për vendet e varfra

COP29

Foto: Associated Press

Bota ka rënë dakord për një marrëveshje të re klimatike në samitin COP29 në Baku të Azerbajxhanit të shtunën, përmes të cilës vendet e pasura zotohen të ofrojnë 300 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2035 për vendet më të varfra.

Shuma do të ndahet në mënyrë që këto vende të ndihmohen të përballen me ndikimet gjithnjë e më katastrofike të krizës klimatike, raporton CNN.

Mirëpo, shumë vende e kanë cilësuar shifrën si të pamjaftueshme. 

Marrëveshja erdhi pas më shumë se dy javësh diskutimesh dhe negociatash të ashpra, të përcjella edhe nga bojkotet dhe grindjet politike.

Madje grupet që përfaqësonin shtetet e vogla ishullore të cenueshme dhe vendet më pak të zhvilluara u larguan nga negociatat të shtunën.

Por në orën 2:40 të mëngjesit të së dielës me orën lokale, më shumë se 30 orë pas afatit, u arrit marrëveshja midis afro 200 vendeve.

Sipas marrëveshjes, 300 miliardë dollarë do të shkonin për vendet e cenueshme dhe më të varfra, për t’i ndihmuar ato të përballen me motin ekstrem gjithnjë e më shkatërrues, dhe për t’i kaluar ekonomitë e tyre drejt energjisë së pastër. 

"Ka qenë një udhëtim i vështirë, por ne kemi arritur një marrëveshje”, ka thënë Simon Stiell, kreu i Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. 

“Ky synim i ri financiar është një politikë sigurimi për njerëzimin, mes përkeqësimit të ndikimeve klimatike që godasin çdo vend”, ka shtuar ai.

Shuma e premtuar, megjithatë, është shumë më pak se 1.3 trilionë dollarë që ekonomistët thonë se është e nevojshme për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballen me një krizë klimatike.

Në një fjalim menjëherë pas marrëveshjes, përfaqësuesja e Indisë, Chandni Raina, kritikoi 300 miliardë dollarët si një "shumë të vogël" dhe e quajti marrëveshjen "asgjë më shumë se një iluzion optik".