Botë

Bota fillon ta mirëpresë 2025-ën me shfaqje fishekzjarrësh

Sydney festime per Vitin 2025

Foto: Associated Press

Nga Sydney deri në Vladivostok, komunitetet në mbarë botë kanë filluar ta mirëpresin vitin 2025 me shfaqje spektakolare fishekzjarrësh, me përqafime e edhe zhytje në akull, raporton agjencia “AP”.  

Aucklandi i Zelandës së Re u bë qyteti i parë i madh që hyri në vitin 2025, ndërsa mijëra njerëz u mblodhën në qendër të qytetit për ta përcjellë spektaklin e fishekzjarrëve. Në manifestim u njohën edhe personat indigjenë. 

Vendet në Paqësorin Jugor ishin të parat që hynë në vitin 2025. 

Në Sydney pati spektakël fishekzjarrësh në urën e famshme të qytetit. Mbi një milion australianë dhe të tjerë u mblodhën në portin ikonik të Sydneyt për festën. Ylli britanik i muzikës pop Robbie Williams këndoi në manifestimin. 

Në Bangkok të Tajlandës pati një spektakël fishekzjarrësh, ndërsa në Xhakarta të Indonezisë pos fishekzjarreve për spektakël u përkujdesën edhe rreth 800 dronë. 

Mediumet shtetërore kineze kanë njoftuar për një shkëmbim urimesh për Vitin e Ri mes liderit kinez Xi Jinping dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. 

Sipas agjencisë kineze të lajmeve “Xinhua”, Xi i tha Putinit se vendet e tyre “do të ecin gjithmonë përpara dorë për dore”. 

E në fjalimin e tij drejtuar kombit, Putin tha se Rusia “ka vendosur qëllime të mëdha për veten dhe i ka arritur ato”. 

Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz ka bërë thirrje për solidaritet. 

“Ne jemi një vend i bashkimit dhe mund të nxjerrim forcë nga këto momente të vështira”, tha Scholz.

Gjermania po përballet me vështirësi ekonomike dhe po ashtu  ende po e merr veten nga sulmi vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg. 

Në Rio de Janeiro të Brazilit po parashihet të mblidhen rreth 2 milionë persona për të festuar Vitin e Ri.

Ndërsa në SHBA, në qytetin e New Yorkut, do të vazhdojë tradita e festimit, ndërsa do të interpretojnë emra si Rita Ora, Jonas Brothers, TLC dhe Sophie Ellis-Bextor. 

Lexo përditësimet tjera
Viti i Ri 2025 ne Sydney

Disa shtete futen në vitin 2025, në Sydney pritet me spektakël fishekzjarrësh

Disa shtete nëpër botë vetëm se kanë hyrë në vitin 2025. Ishulli i Kiribatit ka qenë...