Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se Izraeli mund të kryejë “spastrim etnik” të Gazës nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr qëndrim të prerë për ta parandaluar atë.
Guterres e bëri këtë deklaratë ndërsa viktimat civile nga bombardimet e Izraelit në veri të Gazës janë shtuar. Një sulm të martën në Beit Lahiya vrau të paktën 93 persona, në atë që OKB-ja e quajti vetëm një prej të paktën shtatë “incidenteve me viktima masive” në Gaza javën e fundit.
Në të njëjtën kohë, dërgesat me ndihma në Gaza raportohet se kanë rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës, duke çuar në pretendimet se synimi i vërtetë i Izraelit është t’i dëbojë palestinezët e mbetur nga një pjesë e Gazës.
Guterres foli në margjinat e konferencës së biodiversitetit në Kolumbi “COP16” dhe sugjeroi se “spastrimi etnik” i Gazës ishte parandaluar deri tash nga refuzimi i popullit për t’iu nënshtruar presionit të fortë për të ikur nga shtëpitë e tyre dhe vendosmëria arabe për të mos pranuar transferime masive të popullsisë.
“Qëllimi mund të jetë që palestinezët të lënë Gazës, që të tjerët ta okupojnë”, ka thënë ai për Guardian. “Por ka pasur – dhe vlerësoj kurajën dhe qëndresën e popullit palestinez dhe vendosmërinë e botës arabe – një përpjekje për të shmangur spastrimin etnik të bëhet realitet.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar të qëndrojnë atje dhe të shmanget spastrimi etnik që mund të ndodhë nëse nuk ka vendosmëri të fortë nga komuniteti ndërkombëtar”, ka theksuar Guterres.
Shumë ndërkombëtarë e kanë dënuar bombardimin e së martës të ndërtesës pesëkatëshe në Beit Lahiya, ku shumë fëmijë ishin në mesin e 93 të vrarëve. SHBA-ja e ka quajtur “incident të tmerrshëm me rezultat të tmerrshëm” dhe të mërkurën Ministria e Jashtme franceze ka thënë se e dënon bombardimin dhe “sulmet e fundit izraelite në spitalet në veri”.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë se janë të vetëdijshëm për raportimet për viktimat civile në Beit Lahiya dhe se po e shikon si rast.