Botë

Bora e madhe përfshin Gjermaninë e Britaninë, pezullohen shumë fluturime

bora

Moti i lig me reshje të mëdha të borës ka shkaktuar të dielën probleme të mëdha në Gjermani dhe Britani. Shumë aeroporte kanë pezulluar një numër fluturimesh, teksa pengesa ka pasur edhe në udhëtimet me trena. Ndërkohë SHBA-ja raportohet se po përgatitet për temperaturat më të ulëta në më shumë se një dekadë

(BBC/AP) - Moti i ashpër me reshje të dendura të borës ka prekur Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë të dielën, duke shkaktuar pezullimin e shumë fluturimeve dhe vonesa në udhëtimet me trena.

Aeroporti i Mançesterit, ai “John Lennon” i Liverpoolit dhe aeroporti i Birminghamit kanë mbyllur pistat e tyre pas borës së madhe që ka rënë gjatë natës.

Kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dëgjojnë këshillat e dhëna nga policia që të mos udhëtojnë nëse nuk është shumë e nevojshme.

"Kjo është këshilla për njerëzit që të mos udhëtojnë nëse nuk është absolutisht thelbësore. Ndërsa po flasim, po bëhen përpjekje për të mbajtur gjithçka në funksion. Por ka pasur pengesa në aeroport. Ne presim shi nga mëngjesi,  kështu që presim që bora të fillojë të pastrohet ndërsa dita ecën”, ka deklaruar Burnham.

Bora e madhe ka shkaktuar probleme edhe në Gjermani, ku disa aeroporte janë detyruar të pezullojnë fluturimet po ashtu.

Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për shoferët dhe këmbësorët që të kenë kujdes nga akulli, duke i këshilluar ata që të qëndrojnë në shtëpi në rastet kur është e mundur.

Aeroporti i Frankfurtit ka anuluar 120 nga 1,090 ngritje dhe ulje të planifikuara të dielën, sipas zyrës së shtypit të “Fraport”.

Në aeroportin e Munihut, vetëm njëra pistë është e hapur teksa tjetra është pastruar gjatë gjithë ditës. Në Baden-Wuerttemberg, tetë persona janë lënduar kur një autobus ka dalë nga rruga.

Lidhjet e trenave në distanca të gjata gjithashtu pësuan parregullsi në zonën e Frankfurtit.

Ndërkohë, dhjetëra miliona amerikanë raportohet se po përgatiten për një stuhi të madhe të dimrit që mund të sjellë reshje të shumta bore dhe temperatura të ulëta që nuk janë parë në mbi një dekadë.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në shtetet si Kentucky e Virginia, e pjesë të SHBA-së që nuk janë mësuar me të ftohtin e madh, përfshirë Mississippin dhe Floridën, janë paralajmëruar të presin kushte të vështira.

Parashikuesit thonë se moti ekstrem po shkaktohet nga vorbulla polare, një zonë me ajër të ftohtë që qarkullon rreth Arktikut.

Parashikuesi i motit nga AccuWeather, Dan DePodwin, ka thënë se mund të jetë janari më i ftohtë në SHBA që nga viti 2011. Në bregun lindur stuhia pritet të arrijë “për pak orë”

Në disa zona të Kansasit dhe Indianas është raportuar se mund të ketë deri 20 centimetra borë.

Në pjesët qendrore të SHBA-së ka nisur të përkeqësohen kushtet në komunikacion qysh të shtunën, pasi stuhia e dimrit solli kombinim të borës, akullit dhe temperaturave të ulëta.

U regjistruan disa aksidente komunikacioni. Po ashtu në Kansas u ndaluan përkohësisht fluturimet.