Një gjykatë federale të enjten ka bllokuar planin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump, për shpërblime financiare për punëtorët federalë që dorëhiqen nga puna.
Vendimi erdhi disa orë para afatit të mesnatës për punonjësit për të aplikuar për programin e dorëheqjes së imponuar, i cili është përshkruar shpesh si blerje e dorëheqjeve, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Gjykatësi i Distriktit të SHBA-së George O’Toole Jr në Boston nuk ka shprehur mendim mbi legalitetin e programit. Ai e vendosi seancën dëgjimore për të hënën.
Po ashtu ai urdhëroi zyrtarët administrativë për zgjatjen e kohës së aplikimit për program deri pas seancës dëgjimore.
Disa sindikata e kanë paditur Trumpin për këto plane, që ishin të orkestruar nga Elon Musk, këshilltar i lartë i tij. Presidenti republikan po mundohet të reduktojë dhe rindërtojë forcën punëtore federale.
Elon Musk, një nga këshilltarët e presidentit Trump, ka orkestruar një nismë të paparë ndonjëherë për përfitime financiare për punëtorët që dorëhiqen nga puna e tyre në qeveri, duke iu premtuar pagesë për disa muaj si këmbim për dorëheqjen e tyre.
Programi i dorëheqjes së imponuar është pjesë e planit të Trumpit për të rindërtuar qeverinë federale. Zyrtarët e administratës kanë deklaruar se do të kursejnë para të taksapaguesve duke i prezantuar punëtorët federalë me “një mundësi të vlefshme që vjen një herë në jetë” për të ndaluar së punuari derisa do të paguhen deri me 30 shtator.
Të mërkurën, administrata intensifikoi presionin mbi punonjësit për të larguar, duke ua rikujtuar se shkurtimet e vendeve të punës ose pezullimet mund të vijnë më pas.
E vendimi është kundërshtuar nga Demokratët, që kanë bërë thirrje që punëtorët nuk duhet të pranojnë programin e dorëheqjes së imponuar sepse nuk është autorizuar nga Kongresi, duke ngritur rrezikun se ata nuk do të paguhen. Gjykata federale e bllokoi vendimin pas ankesës së sindikatave.