Botë

Blinkeni viziton Egjiptin për të siguruar armëpushimin në Gazë

Antony Blinken

Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të zhvillojë vizitë në Kajro të Egjiptit në një kohë kur Uashingtoni po kërkon të rritet presioni ndaj Hamasit dhe Izraelit për të arritur armëpushim në Gazë dhe për të siguruar që lufta të mos zgjerohet në Liban, raportoi të hënën Reuters.

Në vizitën e tij të tetë në rajon që kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, diplomati i lartë amerikan do të udhëtojë gjithashtu në Izrael, Jordani dhe Katar këtë javë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden më 31 maj dha një propozim trefazor të armëpushimit nga Izraeli që parashikon një fund të përhershëm të armiqësive, lirimin e pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë dhe rindërtimin e Gazës.

“Blinken gjatë udhëtimit këtë javë do të diskutojë me partnerët nevojën për të arritur një marrëveshje armëpushimi që siguron lirimin e të gjithë pengjeve, si dhe nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.