Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është takuar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Bruksel të mërkurën, teksa administrata e Bidenit përpiqet ta rrisë mbështetjen për Ukrainën para rikthimit të Donald Trumpit si president, raporton Reuters.
Presidenti i zgjedhur Trump, i cili ka vënë në dyshim mbështetjen ushtarake amerikane për Ukrainën, ka thënë se do ta përfundojë shpejt luftën pa treguar si, duke i rritur shqetësimet në mesin e aleatëve se ai do të përpiqet ta detyrojë Kievin ta pranojë paqen nën kushtet e Moskës.
Presidenti aktual, Joe Biden po përpiqet ta rrisë ndihmën ndaj Ukrainës, para se të largohet nga zyra më 20 janar, teksa Rusia po bën përfitime territoriale përgjatë vijës 1000 kilometërshe të frontit.
Blinkeni pritet të diskutojë në Bruksel se si aleatët e SHBA-së mund të arrijnë mbështetje më të mirë për Ukrainën, pasi roli i ardhshëm i Washingtonit mbetet i pasigurt.
Ai dhe Rutte janë takuar në selinë e aleancës.
Blinkeni më vonë pritet të takohet me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, sipas planprogramit të Departamentit të Shtetit.
Ai gjithashtu do të takohet me komandantin suprem të NATO-s për Evropë, Christopher Cavoli, zyrtarë të lartë të BE-së dhe sekretarin e jashtëm britanik, David Lammy në Bruksel të mërkurën.