Botë

Blinkeni takohet me Netanyahun, thotë se është koha për marrëveshje Izrael-Hamas

Antony Blinken dhe Benjamin Netanyahu

Antony Blinken dhe Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar të mërkurën me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu në Jerusalem.

Blinkeni po e viziton Izraelin në përpjekjen e tij për të shtyrë drejt një marrëveshjeje të armëpushimit ndërmjet tij dhe Hamasit.

Ai ka thënë se “tani është koha” për një marrëveshje që do të lironte pengjet dhe të sillte një pauzë në luftën gati shtatë muajshe në Gaza, raporton AP.

Ai ka thënë se Hamasi do të mbante fajin për çdo dështim për të arritur një marrëveshje nga terreni.

Gjatë qëndrimit në Tel Aviv, Blinkeni është takuar edhe me të afërmit e pengjeve që po mbahen në Gaza.

Familjarët po protestonin jashtë hotelit në të cilin po qëndronte ai.

Sekretari amerikan u ka thënë atyre që të qëndrojnë të fortë dhe të presin sepse është një propozim i fortë në tavolinë, dhe se Hamasi duhet t’i thotë po atij. 

“Sjellja e të dashurve të tu në shtëpi është në qendër të krejt asaj çka po mundohemi të bëjmë. Dhe ne nuk do të ndalemi derisa secili, burra, gra, ushtarë, civilë, të rinj, të vjetër, të kthehen në shtëpi. Ka një propozim shumë të fortë në tavolinë tani. Hamasi duhet t’i thotë po dhe duhet ta bëjë këtë. Ky është qëllimi ynë dhe nuk do të ndalemi, derisa të ribashkoheni me të dashurit tuaj. Prandaj, ju lutem qëndroni të fortë dhe mos e humbni besimin”, ka deklaruar Blinkeni.

Blinkeni është në vizitën e tij të shtatë në rajon, që kur ka shpërthyer lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, pas sulmit të 7 tetorit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit.

Izraeli ka paralajmëruar se së shpejti do të kryejë një sulm tokësor në Rafah, aty ku qindra e mijëra palestinezë po strehohen. 

Rundi aktual i bisedimeve duket të jetë serioz, mirëpo palët janë ende larg çështjes kryesore, nëse lufta duhet të përfundojë si pjesë e një marrëveshjeje emergjente.