Blinkeni ka thënë se Izraeli është duke forcuar sigurinë dhe krijimi i shtetit palestinez do të ishte mënyra më e mirë për të parandaluar sulmet nga satelitët e Iranit, si Hamasi, Hezbollahu dhe rebelët Houthi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka përfunduar turneun e tij urgjent në Lindjen e Mesme me bisedimet që ka zhvilluar të enjten me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se ka sukses modest në përpjekjet e tij për të siguruar përkrahjen rajonale për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës së Izraelit me Hamasin.
Mirëpo progresi është i paqartë për shkak se qeveria izraelite e prirë nga kryeministri Benjamin Netanyahu nuk pajtohet për disa çështje dhe nuk dihet nëse mund t’i pranojë kushtet.
Blinkeni ka fituar përkrahje nga shtetet arabe dhe myslimane për të filluar me planifikimet për Gazën e pasluftës. Këtë përkrahje e ka fituar nga takimet me liderët e Turqisë, Jordanisë, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Bahrejnit dhe Autoritetit Palestinez.
Përkrahja për skenarët e pasluftës është ofruar në periudhën e frikës se lufta në Gazë mund të përhapet në rajon.
Secili shtet – edhe Greqia, të cilën Blinkeni e ka vizituar – është shprehur se do të marrë pjesë në planifikimet e përgjithshme, ani pse kontributi më i saktë ende nuk është përcaktuar dhe Izraeli ende është jashtë këtyre planeve.
“Udhëtimet e mëparshme këtu, mendoj se kishte ngurrim për të folur për çështjet e së nesërmes në aspektin e stabilitetit afatgjatë dhe sigurisë në baza rajonale”, ka thënë Blinkeni para gazetarëve në aeroportin e Kajros pas takimit me el-Sissin. “Por tani e kemi marrë vesh se partnerët tanë janë shumë të përqendruar në këtë dhe dëshirojnë të angazhohen në këto çështje”.
“Janë të përgatitur për të bërë këta hapa dhe të angazhohen në të ardhmen e Gazës dhe paqes afatgjatë dhe sigurisë në rajon”, ka shtuar sekretari amerikan i shtetit.
Sidoqoftë, përkrahja arabe nuk është vetëm për fundin e konfliktit, por edhe për hapjen e shtegut për krijimin e shtetit të pavarur palestinez, diçka që e kundërshton Netanyahu.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë thënë se bisedimet e Bidenit në Izrael ishin më të vështirat e këtij udhëtimi. Por ata kanë shtuar se bisedimet ishin të suksesshme që të bindnin Izraelin që Kombet e Bashkuara të inspektonin Gazën për të vlerësuar nëse është e sigurt për kthimin e palestinezëve.
Çështje kyç e planit është edhe reforma e Autoritetit Palestinez. Kjo ishte agjenda kryesore e samitit të mbajtur të mërkurën mes el-Sissit, mbretit jordanez dhe presidentit palestinez, Mahmoud Abbas.
“Kemi një gatishmëri nga Autoriteti Palestinez që të bëjë reforma”, ka thënë Blinkeni. Zyrtarët kanë thënë se ndryshimet e para përfshijnë formimin e qeverisë së re teknokratike, luftën kundër korrupsionit, reformat në gjyqësor dhe liri më të madhe të mediave.
Blinkeni ka thënë se Izraeli është duke forcuar sigurinë dhe krijimi i shtetit palestinez do të ishte mënyra më e mirë për të parandaluar sulmet nga satelitët e Iranit, si Hamasi, Hezbollahu dhe rebelët Houthi.
“Shtegu tjetër është që të vazhdojmë të shohim terrorizmin dhe shkatërrimin nga Hamasi, houthët, Hezbollahu, të gjithë të përkrahur nga Irani”, ka thënë Blinkeni.