Agresioni rus

Blinkeni në takim me Zelenskyn: Ndihmat do të bëjnë ndryshim të madh

Antony Blinken dhe Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken , është takuar të martën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke i premtuar se ndihmat e SHBA-së për ushtrinë e Ukrainës janë në rrugë e sipër.

Ai ka thënë se dërgesat do të bëjnë një ndryshim të vërtetë “kundër agresionit të vazhdueshëm në fushën e betejës”.

“Ne e dimë se kjo është kohë sfiduese. Por, ne gjithashtu e dimë se në një afat të afërt ndihma tani është në rrugë e sipër, një pjesë e saj tashmë ka mbërritur dhe shumë prej tyre do të vijnë. Dhe kjo do të bëjë një ndryshim të vërtetë kundër agresionit të vazhdueshëm rus në fushën e betejës”, ka thënë Blinken.

Zelensky tha se ndihma e SHBA-së është thelbësore, derisa e ka falënderuar Blinkenin, duke theksuar se Ukraina “dëshpërimisht ka nevojë për dy sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore”.

“Me të vërtetë sot na duhen dy ‘patriotë’ (artileri ajrore) për Kharkiv për rajonin e Kharkivit sepse atje njerëzit janë nën sulm. Civilë, luftëtarë, të gjithë janë nën raketat ruse”, është shprehur presidenti ukrainas.


Blinkeni në vizitë të paparalajmëruar në Kiev

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Kiev të martën në një vizitë të paparalajmëruar. CNN raportoi se diplomati i lartë amerikan do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe do të mbajë fjalim mbi mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

SHBA-ja ka njoftuar se Blinkeni synon të dërgojë një sinjal të fortë sigurie për ukrainasit.

Vizita e tij vjen derisa Rusia vazhdon të shënojë përparime të mëdha në territoret e Ukrainës, pasi të hënën pushtoi qytetin Vovchansk, që gjendet pranë Kharkivit.

“Misioni i sekretarit është të flasë se si ndihma jonë shtesë do të ekzekutohet në një mënyrë që të ndihmojë forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, duke iu mundësuar atyre të marrin gjithnjë e më tepër iniciativën në fushën e betejës”, ka thënë Departamenti i Shtetit.

Në prill, Senati amerikan ka miratuar paketën prej 95 miliardë dollarësh, e cila përfshin gjithashtu ndihmën ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Paketa përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, për të cilën Pentagoni tha se do të fillojë dërgimin e armëve "brenda disa ditësh".