Botë

Blinkeni largohet nga Lindja e Mesme derisa armëpushimi në Gaza mbetet i paarritshëm

Antony Blinken

Antony Blinken

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se "koha është thelbësore" për të siguruar një armëpushim në Gaza.

Blinkeni ka përfunduar turneun e tij të nëntë në Lindjen e Mesme, derisa një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit mbetet ende e pakapshme, raporton The Guardian.

Marrëveshja "duhet të bëhet në ditët në vijim”, u ka thënë Blinken gazetarëve në Doha, përpara se të nisej për në Washington, ndërsa përsëriti thirrjen e tij për Hamasin që të pranojë një "propozim urë" për një marrëveshje, të cilën ai tha se Izraeli e kishte pranuar. Blinkeni u ka kërkuar po ashtu të dyja palëve të punonin drejt finalizimit të tij.

Blinken dhe ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari i kanë varur shpresat e tyre në propozimin e urës, i cili synon të ngushtojë boshllëqet midis dy palëve në luftën 10-mujore, pasi negociatat javën e kaluar u ndërprenë pa ndonjë përparim. SHBA-ja pret që bisedimet e armëpushimit të vazhdojnë këtë javë.

Hamasi nuk po merr pjesë drejtpërdrejt në këto negociata dhe ka thënë se propozimi i fundit në tryezë është shumë i afërt me kërkesat e Izraelit. 

Plani do të përfshinte një armëpushim fillestar gjashtë-javor, gjatë të cilit një numër i kufizuar pengjesh gra, të moshuara dhe të sëmurë izraelitë, do të liroheshin, në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite. Ndërkohë negociatorët do të vendosnin për fazën e dytë, në të cilën ushtarët dhe trupat do të ktheheshin mbrapa, trupat izraelite do të fillonin të tërhiqeshin nga Gaza dhe civilët palestinezë të zhvendosur do të lejoheshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri të rripit.

Një nga pikat kryesore të pengesave në një marrëveshje ka qenë kërkesa e gjatë e Hamasit për një tërheqje "të plotë" të trupave izraelite nga të gjitha pjesët e Gazës, të cilën Izraeli thuhet se e ka refuzuar.

Blinkeni u pyet në Katar për kushtet e tërheqjes së trupave izraelite brenda kornizës së armëpushimit dhe për një raport të publikuar në “Axios” që citonte Netanyahu të thoshte se ai mund ta ketë bindur Blinkenin se Izraeli duhet të mbajë trupa në korridorin e Filadelfit, një brez strategjik në kufirin Gaza-Egjipt.

“Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë asnjë okupim afatgjatë të Gazës nga Izraeli. Më konkretisht, marrëveshja është shumë e qartë, për orarin dhe vendndodhjet e tërheqjes së Forcave të Mbrojtjes izraelite nga Gaza, dhe Izraeli ka rënë dakord për këtë. Pra, kjo është që di unë. Kjo është ajo për të cilën jam shumë i qartë”, ka deklaruar Blinkeni.