Gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka theksuar se një propozim për armëpushim në Gaza, i paraqitur përpara Hamasit, ishte “jashtëzakonisht bujar” dhe se grupi islamik duhet ta pranojë atë sa më shpejt. Blinken përsëriti se SHBA-ja nuk mund ta mbështesë një sulm tokësor izraelit në Rafah përderisa nuk ka një plan për t’u siguruar që civilët nuk do të dëmtohen.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje Hamasit që të pranojë me shpejtësi propozimin e fundit dhe “jashtëzakonisht bujar” të Izraelit për një armëpushim në Gaza dhe për të siguruar lirimin e pengjeve.
Negociatorët e Hamasit pritej të takoheshin me ndërmjetësit e Katarit dhe të Egjiptit në Kajro për të dhënë një përgjigje ndaj propozimit të armëpushimit me faza që Izraeli paraqiti në fundjavë, përpara një sulmi izraelit në qytetin kufitar jugor të Rafahut.
Në një takim special të Forumit Ekonomik Botëror të mbajtur në kryeqytetin saudit, Riad, Blinken ka theksuar se Hamasi duhet ta pranojë sa më shpejt këtë ofertë.
“Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund kësaj është arritja e një armëpushimi dhe lirimi i pengjeve. Dua të falënderoj thellësisht miqtë tanë nga Katari dhe Egjipti, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të arritur këtë armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Një përpjekje e madhe që është bërë gjatë dy muajve të fundit për të arritur atë. Dhe pikërisht tani, Hamasi ka përpara një propozim që është jashtëzakonisht bujar, nga ana e Izraelit. Dhe në këtë moment e vetmja gjë që qëndron mes popullit të Gazës dhe armëpushimit është Hamasi. Ata duhet të vendosin sa më shpejt. Dhe unë shpresoj se ata do të marrin vendimin e duhur”, ka theksuar ai.
Propozimi i Izraelit përfshinte një marrëveshje për ta pranuar lirimin e më pak se 40 nga afërsisht 130 pengjet që besohet se mbahen ende në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izrael.
Dhe një fazë të dytë të një armëpushimi që konsiston në “periudhën e qetësisë së qëndrueshme”, që do të ishte një kompromis i Izraelit për kërkesën e Hamasit për armëpushim të përhershëm.
Por siç raporton BBC-ja, një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë se nuk kishte "asnjë çështje të rëndësishme" në këtë propozim.
Thuhet se ai ka vendosur kushte të reja për arritjen e marrëveshjes e cila synon të kënaqë kërkesën e Hamasit për një armëpushim të përhershëm.
Blinken mbërriti në Arabinë Saudite të hënën, ku do të diskutojë për zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme që nga lufta e Gazës që shpërtheu në tetor.
Blinken përsëriti se SHBA-ja nuk mund ta mbështesë një sulm tokësor izraelit në Rafah përderisa nuk ka një plan për t’u siguruar që civilët nuk do të dëmtohen.
Ndërkohë, Izraeli pretendon se katër batalionet e fundit të Hamasit janë strehuar pikërisht në Rafah.