Botë

Blinkeni arrin në Izrael për t'i nisur bisedimet për armëpushim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Antony Blinken

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka arritur në Izrael të martën për takimet me liderët izraelitë, ndalesa e parë e udhëtimit në Lindjen e Mesme në përpjekje për ta arritur armëpushimin, raporton Reuters.

Udhëtimi i fundit i diplomatit të lartë – i 11-i në rajon që kur militantët palestinezë të Hamasit e kanë sulmuar Izraelin më 7 tetor, duke e shkaktuar luftën në Gaza – vjen teksa ushtria izraelite e ka intensifikuar fushatën ushtarake në enklavën palestineze dhe në Liban kundër milicisë së përkrahur nga Irani, Hezbollah.

Blinkeni do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarë të tjerë gjatë ditës, si pjesë e vizitës njëjavore në Lindjen e Mesme, që përfshin edhe Jordaninë dhe Katarin.

Përpjekjet diplomatike deri më tani kanë dështuar t’i japin fund luftës njëvjeçare në Gaza dhe konfliktit të fundit mes Hezbollahut dhe Izraelit, i cili në mënyrë dramatike është intensifikuar javëve të fundit, pas një viti të shkëmbimit të sulmeve përgjatë kufirit jugor të Libanit.

Hezbollahu të martën ka thënë se ka nisur një breshëri raketash drejt dy bazave ushtarake izraelite afër Tel-Avivit dhe bazës detare në perëndim të Haifas.