Botë

Blinken thotë se është e domosdoshme të arrihet një zgjidhje diplomatike në Liban

Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka theksuar se ka ardhur koha për të arritur një zgjidhje diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit në Liban midis Izraelit dhe grupit Hezbollahu teksa ka bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve.

Të premten duke folur përballë tij përpara një takimi dypalësh në Londër, Ministri i Jashtëm jordanez Ayman Safadi i ka thënë Blinkenit se në veri të Gazës po ndodh spastrim etnik, ku forcat izraelite kanë intensifikuar fushatën e tyre ushtarake javët e fundit.

Diplomati më i lartë amerikan ndodhet në Britani për të takuar liderët arabë, pas një turneu në Lindjen e Mesme këtë javë, i pari i tij në rajon që kur Izraeli vrau liderin e Hamasit, Yahya Sinwar.

Washingtoni, aleati i ngushtë i Izraelit, ka shprehur shpresën se vdekja e Sinwarit mund  të japë një shtysë për t'i dhënë fund luftimeve në Gaza, raporton Reuters.

Blinkeni ka zhvilluar gjithashtu bisedime këtë javë për të avancuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike në Liban, ku Izraeli filloi një fushatë tokësore dhe intensifikoi sulmin ajror kundër Hezbollahut gjatë muajit të kaluar, si pasojë e së cilës janë zhvendosur 1.2 milionë njerëz.

Izraeli pretendon se qëllimi i tij në Liban është të sigurohet që dhjetëra mijëra izraelitë të kthehen në shtëpitë e tyre në Izraelin verior, të cilët kanë ikur nga sulmet e Hezbollahut.