Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të hënën e ka quajtur “shtytje të fundit diplomatike” nga Uashingtoni përpjekjen për të arritur marrëveshje armëpushimi në Gazë.
Ai ka thënë se është momenti vendimtar për bisedimet e armëpushimit në Gaza.
“Ky është momenti vendimtar, ndoshta më i miri, ndoshta mundësia e fundit për t’i kthyer pengjet në shtëpi, për të arritur armëpushim dhe për t’i vënë të gjithë në rrugën drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”, ka thënë Blinkeni para takimit të tij me presidentin izraelit Isaac Herzog.
Bisedimet e intensifikuara për armëpushim do të vazhdojnë edhe këtë javë në Kajro, raportoi Reuters.
"Unë jam këtu si pjesë e një përpjekjeje intensive diplomatike me udhëzimet e Presidentit Biden për të tentuar ta çojë këtë marrëveshje në fund. Është koha që të gjithë të arrijnë tek përgjigja “po” dhe të mos kërkohet asnjë justifikim për të kundërshtuar”, ka shtuar Blinken.
Disa orë pas mbërritjes së Blinkenit, Hamasi ka thënë se e konsideron kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu përgjegjës për vonimin e një marrëveshjeje.
Vendet ndërmjetësuese - Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti - deri më tani kanë dështuar të arrijnë marrëveshje pas muajsh të tërë negociatash.