Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në Izrael në përpjekjen e tij të fundit për të nxitur një marrëveshje për armëpushim Gaza dhe për lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen ende nga Hamasi.
Udhëtimi i tij në rajon vjen vetëm disa ditë pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur një propozim të modifikuar për marrëveshje që ka për qëllim tejkalimin e dallimeve në mes të dy palëve, shkruan BBC.
SHBA dhe Izraeli janë shprehur optimistë për një marrëveshje që kur bisedimet rifilluan në Doha javën e kaluar, por sipas Hamasit pretendimet për përparim drejt marrëveshjes për armëpushim janë “iluzion”.
Para se Blinken të arrinte në Izrael të dielën, autoritetet palestineze shëndetësore thanë sulmet izraelite vranë të paktën 21 njerëz, përfshirë gjashtë fëmijë në Gaza.
Përpjekjet diplomatike për të ndalur konfliktin Izrael-Hamas dhe për të siguruar një marrëveshje për kthimin e pengjeve të mbajtura në Gaza janë intensifikuar ditët e fundit. Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari do të vazhdojnë këtë javë në Kajro, pas një takimi dyditor në Doha javën e kaluar.