Administrata Biden ka shprehur gatishmërinë që të punojë me Kongresin për t’iu përgjigjur kërkesës së prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhërarreste ndaj liderëve izraelitë për luftën në Gaza, ka thënë të martën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, raportoi Reuters.
Duke folur në një seancë dëgjimore të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Blinkeni e quajti masën "thellësisht të gabuar" dhe tha se do të ndërlikonte perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje pengjesh dhe të armëpushimit në konfliktin e Izraelit me grupin militant palestinez Hamas.
Prokurori i GJNP-së, Karim Khan ka thënë të hënën se ka arsye për të besuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, shefi i mbrojtjes i Izraelit dhe tre udhëheqës të Hamasit "mbajnë përgjegjësi penale" për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të gjykatës, por kanë mbështetur ndjekjet penale të kaluara, duke përfshirë vendimin e GJNP-së vitin e kaluar për të lëshuar urdhërarrest për presidentin rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.
"Do të jemi të lumtur të punojmë me Kongresin, me këtë komitet, për një përgjigje të përshtatshme ndaj veprimit të GJNP-së”, ka thënë Blinkeni.