Botë

Bjellorusia shton prezencën ushtarake në kufi me Ukrainën

Aleksandër Lukashenko

Aleksandër Lukashenko

Foto: Associated Press

Bjellorusia ka thënë të hënën se ka dërguar avionë, forca të mbrojtjes ajrore dhe armatime në kufirin e saj me Ukrainën, një ditë pasi presidenti, Alexander Lukashenko kishte deklaruar se kishte dislokuar gati një të tretën e forcave të armatosura të vendit të tij në rajon.

"Grupi është rritur ndjeshëm dhe për momentin ata janë në detyrë në kufijtë jugorë të vendit tonë”, i ka thënë transmetuesit shtetëror CTV, komandanti i Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Ajrore të Bjellorusisë, gjeneralmajor Andrei Lukyanovich, raporton Reuters.

Aviacioni, forcat raketore anti-ajrore dhe trupat radio-teknike u vendosën në kufi, sipas Lukyanovichit, sipas një transkripti të dhënë në faqen e internetit të CTV-së.

Disa ditë pas sulmit të papritur të Ukrainës në territorin rus, Lukashenko, një aleat besnik i presidentit Vladimir Putin, akuzoi Kievin për politika agresive dhe për dërgimin e më shumë se 120,000 trupave të tij në kufirin me Bjellorusinë.

Kievi ndërkaq ka deklaruar se nuk kishte parë një rritje të trupave bjelloruse në kufi dhe i quajti deklaratat e Lukashenkos "retorikë" që synojnë të kënaqin Putinin, i cili e përdori Bjellorusinë si një pikënisje për të filluar pushtimin e tij në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Moska e quan luftën një "operacion special ushtarak". Kievi dhe aleatët e tij thonë se kjo është një përpjekje e paprovokuar imperialiste për një grabitje toke, e cila që atëherë ka vrarë mijëra dhe ka zhvendosur miliona ukrainas, duke i kthyer qytetet në rrënoja.