Botë

Bjellorusët që as të zhvendosur nuk po gjejnë qetësi

Bjellorusi

Teksa presidenti autoritar Aleksandër Lukashenko do të kërkojë mandatin e tij të shtatë vitin e ardhshëm për ta zgjatur sundimin e tij prej tri dekadash, udhëheqësit e opozitës në mërgim thonë se ai po rrit presionin ndaj bjellorusëve që u shpërngulën nga vendi. Qëllimi është të shmanget përsëritja e protestave masive që shpërthyen pas zgjedhjeve të vitit 2020, duke shuar çdo mbështetje të opozitës nga jashtë.

Më shumë se gjysmë milioni bjellorusë janë larguar nga vendi i tyre në katër vjetët e fundit, pasi qeveria autoritare nisi një goditje të ashpër ndaj kundërshtarëve të saj politikë. Disa prej tyre, megjithatë, po zbulojnë se nuk po mund t'u shpëtojnë frikësimit dhe kërcënimeve as në jetën e tyre të re jashtë vendit.

Dziana Maiseyenka, 28 vjeç, u arrestua pa paralajmërim teksa po e kalonte kufirin nga Armenia në Gjeorgji, ku ishte strehuar një vit më parë për t’i shpëtuar asaj që e quajti “makthi në shtëpi”.

Autoritetet në Minsk, iu tha asaj, kishin lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar kundër saj me akuzën e "organizimit të trazirave masive".

Ajo e di se çfarë do të thotë një kthim në Bjellorusi: babai i saj u burgos për gati tri vjet me akuza të ngjashme. Kur u lirua vitin e kaluar, ai u arrestua sërish menjëherë.

Ndërsa presidenti autoritar Alexander Lukashenko kërkon mandatin e tij të shtatë vitin e ardhshëm për ta zgjatur sundimin e tij prej tri dekadash, udhëheqësit e opozitës në mërgim thonë se ai po rrit presionin ndaj bjellorusëve që u shpërngulën jashtë vendit. Qëllimi është të shmanget përsëritja e protestave masive që shpërthyen rreth zgjedhjeve të vitit 2020, duke shuar çdo mbështetje të opozitës nga jashtë.

Muajt e demonstratave të mëdha për ta kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve që u denoncua gjerësisht, rezultuan me më shumë se 65.000 njerëz të arrestuar gjatë katër vjetëve të fundit, me shumë prej tyre të rrahur rëndë, sipas grupit bjellorus të të drejtave të njeriut “Viasna”. Themeluesi i saj, fitues i çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, është në mesin e të burgosurve.

Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila ishte sfiduesja kryesore e Lukashenkos në vitin 2020, përpara se të ikte në Lituani një ditë pas zgjedhjeve, thotë se Bjellorusia ka nisur një fushatë sistematike kundër disidentëve jashtë vendit.

“Përpara fushatës së 2025-ës, represionet kundër bjellorusëve jashtë ka shumë të ngjarë të intensifikohen, pasi regjimi përpiqet t’i frikësojë ata që bëjnë thirrje për rritjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe mosnjohjen e legjitimitetit të Lukashenkos”, ka thënë Tsikhanouskaya në një intervistë për “Associated Press”.

Ajo ka shtuar se zyra e saj merr qindra kërkesa në muaj nga bjellorusët jashtë vendit, të cilët thonë se janë hapur çështje penale kundër tyre në atdheun e tyre, dhe ka bërë të ditur se po ndërhyn në të paktën 15 vende ku janë bërë kërkesa për ekstradim. Bjellorusë të tjerë ankohen se dokumentet e tyre të identitetit janë shpallur të pavlefshme nga qeveria në Minsk, ose se të afërmit në shtëpi janë nën presion për shkak të tyre.

Pavel Latushka, një figurë e shquar e opozitës në mërgim në Poloni, thotë se ai ka marrë kërcënime, të cilat autoritetet polake po i hetojnë dhe uebsajti i tij u vu nën një sulm kibernetik, për të cilin ai e fajëson qeverinë e Lukashenkos.

Atletja bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya, e cila kërkoi azil politik në Poloni tri vjet më parë pas Olimpiadës së Tokios, ka bërë të ditur gjithashtu se kishte marrë mesazhe kërcënuese në Varshavë.
“Njëri tha se do të ma hapnin stomakun nëse do të dilja jashtë”, ka treguar Tsimanouskaya për AP-në në Lojërat Olimpike të Parisit.

Në një rast tjetër, të veçantë, ajo ka thënë se kishte vënë re dy burra që po e ndiqnin vazhdimisht në lagjen e saj. 

“Ata dolën jashtë kur unë dola jashtë. Kjo nuk ishte një rastësi”, ka treguar Tsimanouskaya, duke shtuar se e kishte raportuar rastin në polici. Në Lojërat e Parisit, zyrtarët e ekipit polak e këshilluan atë të qëndronte në fshatin e atletëve sa herë që të ishte e mundur.

Depërtimi në diasporë

Përfaqësuesi i Viasnas, Pavel Sapelka ka thënë se Komiteti Shtetëror bjellorus i Sigurisë (KGB) ka depërtuar në diasporë, ka organizuar vëzhgime dhe më pas ka nisur qindra çështje penale në vend.
"Minsku zyrtar ka filluar të dërgojë kërkesa për ekstradim në masë dhe logjika këtu është shumë e thjeshtë: edhe nëse arrijnë të sjellin vetëm disa nga jashtë, të gjithë do të tremben”, ka shpjeguar Sapelka.
Regjisori i pavarur Andrei Hniot, një kritik i Lukashenkos që bëri filma për protestat e Minskut, u arrestua vitin e kaluar në Aeroportin e Beogradit me një urdhër të Interpolit me kërkesë të autoriteteve bjelloruse për evazion fiskal të dyshuar. Një gjykatë serbe në qershor urdhëroi ekstradimin e tij, por presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ndërhyri.

Në një letër drejtuar zyrës së opozitës bjelloruse, ajo ka thënë se autoriteteve serbe iu tha se rasti i Hniotit "ishte i motivuar politikisht" dhe se ai "do të përballej me hakmarrje" nëse kthehej në atdheun e tij.

"Rruga për në Bjellorusi është një rrugë e drejtpërdrejtë për në burg”, ka thënë Hniot për AP nga Beogradi, ku ai është në arrest shtëpiak ndërsa pret një vendim përfundimtar.

Në gusht, dy aktivistë anti-Lukashenko u dëbuan nga Suedia pasi iu refuzua azili politik. Nëna dhe djali, që kishin marrë pjesë në protestat në Bjellorusi, u dërguan nga autoritetet suedeze në kufirin Lituani-Bjellorusi dhe iu dorëzuan rojeve kufitare bjelloruse. Djali u ndalua në kufi.

"Bjellorusët kanë nevojë për solidaritet evropian; jo me fjalë, por me vepra”, ka thënë Zmitser Vaserman, i cili përfaqëson një grup mërgimtarësh bjellorusë në Suedi, duke kërkuar një "moratorium evropian për dëbimin e shtetasve bjellorusë që persekutohen për arsye politike".

“Ambasadat e popullit”

Për t’i mbrojtur interesat e bjellorusëve jashtë vendit, opozita ka krijuar "ambasada të popullit" në 24 vende, duke përfshirë në vendet anëtare të BE-së, Mbretëri të Bashkuar, Kanada, Australi dhe Brazil.
Autoritetet bjelloruse u përgjigjën duke i shpallur këto "ambasada" si grupe ekstremiste. Sipas tyre, bashkëpunimi me to dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me konfiskim të pasurisë. Në pranverë, autoritetet kryen një valë kontrollesh dhe arrestimesh brenda Bjellorusisë, duke nisur qindra çështje penale brenda dhe jashtë vendit.

“Grupet ekstremiste kanë nisur fushata informuese për të diskredituar vendin tonë në sytë e politikanëve perëndimorë”, është shprehur Siarhei Kabakovich, zëdhënës i Komitetit Hetues të Bjellorusisë. “Pseudo-ambasadat po përpiqen ta dëmtojnë sigurinë kombëtare të Bjellorusisë dhe po ndërmarrin masa për të izoluar misionet diplomatike të sistemit të ministrisë së Jashtme dhe për të bllokuar çdo kontakt midis qytetarëve, organizatave dhe qeverive të huaja me diplomatët bjellorusë”, ka thënë ai.

Në Vilnius, ku ndodhet liderja e opozitës Tsikhanouskaya, disa institucione bjelloruse u sulmuan këtë muaj. 

Dritaret u thyen në një kishë ortodokse bjelloruse dhe në një qendër të kulturës bjelloruse, dhe mesazhe të turpshme u lanë pranë një strehe refugjatësh.

Ministria e Jashtme e Lituanisë në një deklaratë në X dënoi "aktet e vandalizmit kundër komunitetit bjellorus, të kryera sipas rregullave të KGB-së" dhe u zotua të ndëshkojë ata që janë përgjegjës.
Tsikhanouskaya bëri thirrje për një hetim, duke fajësuar "regjimin e Lukashenkos, i cili vazhdimisht po përpiqet të krijojë një atmosferë frike dhe urrejtjeje në shoqërinë bjelloruse".

Bjellorusia tani kërkon që qytetarët e saj t’i vazhdojnë pasaportat e tyre brenda vendit. Kjo po bëhet një pengesë për shumë mërgimtarë, nga frika e ndjekjes penale nëse kthehen në shtëpi për të marrë dokumente të reja.

Shqetësim më i madh janë fëmijët e lindur jashtë vendit nga prindër që nuk mund të kthehen në Bjellorusi për të marrë dokumente që konfirmojnë shtetësinë e tyre, sipas Anaïs Marin, raportuese speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në Bjellorusi, sepse siç ka thënë "kjo mund të çojë në humbjen e provës së shtetësisë dhe, potencialisht, në pashtetësi.”

Shumë bjellorusë që kthehen në shtëpi janë arrestuar në kufi, ka thënë Tsikhanouskaya. Disa regjistrojnë videorrëfime, përmes të cilave shprehin pendimin, e për të cilat besohet gjerësisht se janë detyruar që t’i bëjnë.

Katsiaryna Mendryk, një studente në Universitetin e Varshavës, e cila u arrestua në gusht, ka thënë në një videorrëfim të mëvonshëm se "i vjen vërtet keq që mori pjesë në aktivitete ekstremiste". Ajo del në gjyq këtë muaj, dhe përballet me burgim deri në shtatë vjet.

Maiseyenka, gruaja e ndaluar në kufirin Gjeorgji-Armeni, kaloi pesë ditë në harresë përpara se të kthehej e sigurt në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi. Zyra e Tsikhanouskaya ndërhyri në emër të saj dhe Armenia vendosi të mos e ekstradojë atë.

Maiseyenka ka thënë më pas se ajo ishte me fat, por e kishte kuptuar se sa e rrezikshme është të jesh bjelloruse.

“Kjo do të thotë që një bjellorus kudo në botë duhet të përgatitet për surpriza të pakëndshme”, është shprehur ajo.