Botë

Bisedimet e paqes për Ukrainën mund të fillojnë këtë dimër, thotë Tusk

Donald Tusk

Foto: Associated Press

Bisedimet e paqes për luftën në Ukrainë mund të fillojnë këtë dimër, ka thënë kryeministri i Polonisë, Donald Tusk të martën, teksa Varshava kërkon të luajë një rol udhëheqës në përfundimin e konfliktit.

Polonia ka qenë një nga mbështetësit më të vendosur të Kievit që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022, dhe kryeministri Tusk u zotua të përfshihet shumë në çdo bisedim kur të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, më 1 janar të vitit 2025, raporton Reuters.

“Siç mund ta imagjinoni, delegacioni ynë do të jetë bashkëpërgjegjës, ndër të tjera, se si do të jetë kalendari politik, ndoshta si do të jetë situata gjatë negociatave, të cilat, megjithëse ka ende pikëpyetje, mund të fillojnë në dimrin e këtij viti”, ka deklaruar ai.

Tusk ka thënë se presidenti francez, Emmanuel Macron do të vizitojë Varshavën të enjten për të folur rreth bisedimeve të tij në Paris fundjavën e kaluar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ai tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me aleatët skandinavë dhe baltikë dhe se kryeministri britanik Keir Starmer do të vizitonte Varshavën në fillim të vitit të ardhshëm.

“Unë me të vërtetë dua që Polonia të jetë vendi që jo vetëm do të jetë i pranishëm, por do të vendosë tonin për këto vendime që do të na sjellin siguri dhe sigurimin e interesave polake”, ka thënë Tusk.

Të hënën, Zelensky ka bërë kërkesën për një zgjidhje diplomatike të luftës. Komentet e tij të fundit tregojnë për hapjen e Kievit ndaj negociatave, por tha se ai i kishte thënë Trumpit dhe Macronit se ai nuk besonte se Putini dëshiron t'i japë fund luftës.