Botë

Bie regjimi i Assadit në Siri

4 muaj më parë Ku ndodhet Bashar al-Assadi?
Siri

Foto: Associated Press

Qeveria siriane ka rënë herët të dielën duke shënuar një fund të sundimit 50-vjeçar të familjes Assad, pas një ofensive të papritur rebele që shpërtheu në territorin e kontrolluar nga qeveria dhe, që kapi edhe kryeqytetin për 10 ditë.

Televizioni shtetëror sirian transmetoi një video deklaratë nga një grup burrash duke thënë se presidenti Bashar Assad është rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit në burgje janë liruar, raporton AP.

Njeriu që lexoi deklaratën tha se Dhoma e Operacioneve për të Pushtuar Damaskun, një grup opozitar, u bëri thirrje të gjithë luftëtarëve dhe qytetarëve të opozitës që të ruajnë institucionet shtetërore të "shtetit të lirë sirian".

Deklarata doli disa orë pasi kreu i një monitoruesi të luftës së opozitës siriane tha se Assad ishte larguar nga vendi për në një vend të pazbuluar, duke ikur përpara kryengritësve që thanë se kishin hyrë në Damask pas përparimit jashtëzakonisht të shpejtë në të gjithë vendin.

Kryeministri sirian, Mohammed Ghazi Jalali tha se qeveria ishte e gatshme t'i "zgjatë dorën" opozitës dhe t'ia kalojë funksionet e saj një qeverie kalimtare.

“Unë jam në shtëpinë time dhe nuk jam larguar dhe kjo për shkak të përkatësisë sime në këtë vend”, tha Jalili në një videodeklaratë. 

Ai tha se do të shkonte në zyrën e tij për të vazhduar punën në mëngjes dhe u bëri thirrje qytetarëve sirianë që të mos dëmtojnë pronën publike.

“Një milion dollarë shpërblim kush jep informacione për gazetarin e zënë rob në Siri”

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 23:45
Gazetari amerikan

Byroja Federale e Hetimit, e njohur si FBI, ka thënë se ende vazhdon oferta prej një milion dollarëve për informacionin që mund të çojë në kthimin e gazetarit amerikan Austin Tice, që vite më parë ishte kapur rob në Siri.

CNN ka raportuar të dielën se oferta vazhdon edhe pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, me qëllim që të gjendet gazetari që ishte arrestuar në gushtin e 2012-s në Damask.

“Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Siri, FBI-ja po rinovon thirrjen tonë për informacionin që mund të çojë në vendndodhjen e sigurt, gjetjen dhe kthimin e Austin Bennett Tice, i cili u arrestua në Damask në gusht 2012”, thuhet në deklaratën e FBI-së.

SHBA-ja në vazhdimësi ka bërë thirrje për grumbullimin e informatave që mund të çojnë në gjetjen e gazetarit.

SHBA-ja qëllon caqe të ISIS-it: S’duhet të përfitojë nga situata aktuale në Siri

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 21:20
Siria

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka deklaruar se forcat e saj kanë kryer dhjetëra sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Sirinë qendrore.

Gjenerali amerikan, Michael Erik Kurilla, është shprehur se s'duhet të lejohet që asnjë ISIS të rindërtohet dhe të përfitojë nga situata aktuale në Siri.

“Të gjitha organizatat në Siri duhet ta dinë se ne do t’i mbajmë ato përgjegjëse nëse ata janë aleatë ose mbështesin ISIS-in në çfarëdo mënyre”, ka deklaruar komandanti amerikan në rrjetin social X.

Kurilla ka theksuar se vlerësimet e dëmeve të betejës janë duke u regjistruar e s’ka indikacione për viktima civile.

Sulmet amerikane zhvilluar gjatë tërë së dielës në disa caqe në Siri.

Liderët e rebelëve garantojnë siguri për bazat ushtarake ruse në Siri

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 19:58
Liderët e rebelëve

Agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosti” ka raportuar se Kremlini është në kontakt me liderin e opozitës së armatosur siriane, “të cilët kanë garantuar siguri për bazat ushtarake ruse dhe institucionet diplomatike në Siri”.

Agjencia ka cituar një burim anonim në Kremlin, i cili ka thënë se Rusia “gjithmonë ka bërë thirrje për zgjidhje politike në krizën siriane”, raporton BBC.

“Ne shpresojmë se dialogu sirian do të vazhdojë, duke u bazuar në interesat e banorëve sirianë dhe zhvillimet bilaterale të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Sirisë”, ka thënë burimi.

Më herët, agjencia ruse e lajmeve ka thënë se Assadit dhe familjes së tij i është mundësuar azili politik në Moskë.

Biden për rënien e Assadit: Moment historik për popullin e shumëvuajtur

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 19:55
Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se regjimi i Bashar al-Assadit ishte brutal dhe torturues, derisa rënien e tij e cilësoi akt themelor për drejtësi.

Ai ka deklaruar të dielën se ky është moment historik “për popullin e shumëvuajtur të Sirisë, që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre”.

“Tash shohim mundësi të reja që hapen për popullin e Sirisë dhe për tërë rajonin. Ne do të mbështesim fqinjët e Sirisë, duke përfshirë Jordaninë, Libanin, Irakun dhe Izraelin. Nëse nis ndonjë kërcënim nga Siria gjatë kësaj periudhe tranzicioni, unë do të flas me liderët e rajonit në ditët në vijim. ISIS-i do të tentojë të përfitojë nga secili vakum për t’i rivendosur aftësitë e tij dhe për të krijuar një strehë të sigurt”, ka thënë Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Ai është zotuar se do të ofrojë stabilitet në Sirinë lindore dhe do të mbrojë personelin ushtarak amerikan.

“Kjo është mundësia më e mira në breza për sirianët që të krijojnë të ardhmen e tyre”.

Reuters: Assadi ndodhet në Moskë

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 19:00
Bashar al-Assad

Bashar al-Assad

Photo: Associated Press

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se ish-lideri sirian, Bashar al-Assad, ndodhet në Moskë.

Duke cituar agjencitë ruse, Reuters shkroi të dielën se Rusia i ka dhënë atij dhe familjes azil politik. Informacioni nuk është konfirmuar nga asnjëra palë.

Rusia ka kërkuar gjithashtu një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbahet të hënën me dyer të mbyllura për situatën në Siri.

“Rënia e Assadit, paaftësi e Rusisë për të luftuar në dy fronte”

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 18:48
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se rënia e presidentit sirian, Bashar al-Assad, nënvizon dobësinë dhe paaftësinë e Rusisë për të luftuar në dy fronte, ka raportuar të dielën Reuters.

Në një reagim të ministrisë, autoritetet ukrainase thanë se regjimi i presidentit rus, Vladimir Putin, braktis “aleatët e tij më të afërt për hir të agresionit të vazhdueshëm ndaj Ukrainës”.

“Ngjarjet në Siri tregojnë dobësinë e regjimit të Putinit, i cili është i paaftë të luftojë në dy fronte dhe i braktis aleatët e tij më të afërt për hir të agresionit të vazhdueshëm kundër Ukrainës”, thuhet në njoftim.

Reuters ka shkruar se Putini e kishte forcuar qeverinë e Assadit, duke kryer sulme ajrore kundër objektivave të opozitës që nga 2015-a dhe kishte operuar në dy baza në territorin sirian.

BE-ja e gatshme të ndihmojë “në rindërtimin e një Sirie që mbron pakicat”

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 17:42
Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian do të ndihmojë rindërtimin e një Sirie që mbron pakicat, pas rënies nga pushteti të Bashar al-Assadit.

“Evropa është e gatshme të mbështesë ruajtjen e unitetit kombëtar dhe rindërtimin e një shteti sirian që mbron të gjitha pakicat. Diktatura mizore e Assadit është shembur”, ka deklaruar ajo, raportoi TheGuardian.

Zyrtarja e BE-së shtoi se ndryshimi i tillw nw rajon ofron mundësi, por përmban edhe rreziqe.

Organizata Amnesty International ka bërë thirrje që autorët e shkeljeve të të drejtave në Siri të përballen me drejtësinë pas rënies së Bashar al-Asad nga pushteti, duke e quajtur atë një “mundësi historike” për t'i dhënë fund abuzimeve me dekada.

Shpall fitoren lideri i rebelëve sirianë

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 17:32
Abu Mohammed al-Jawlani

Photo: Associated Press

Lideri i grupit militant, Hayat Tahrir-al Shams, Abu Mohammad al-Jowlani, ka shpallur plot triumf “pushtimin e Damaskut”, raportoi BBC-ja të dielën

Në Damask, lideri i rebelëve është adresuar para turmës në xhaminë Umayyad në qendër të qytetit.

“Regjimi i Assadit burgosi mijëra qytetarë padrejtësisht dhe pa kryer ndonjë krim”, ka thënë al-Jowlani, duke shtuar se “sot, ne shpërblehemi me këtë fitore. Kjo fitore është e të gjithë sirianëve”.

Ai është i sigurt se do të luajë rol vendimtar në përcaktimin e rendit të ri të Sirisë, pas fundit të papritur e mahnitës të sundimit represiv nga familja Assad.

Por, lideri i organizatës së ndaluar nga OKB-ja si dhe nga qeveritë perëndimore nuk është i vetmi lojtar kryesor në skenën e ndryshimit të Sirisë.

Ndërsa grupi islamik HTS avancoi përpara me shpejtësi, duke u përballur me rezistencë të pakët, ajo shkaktoi reagim edhe nga forcat rebele nga rajonet e tjera të Sirisë, si dhe rritje të grupeve të armatosura lokale, të prirura për të luajtur një rol në zonat e saj.

Izraeli sulmon ndërtesa qeveritare në Damask

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 17:04
Damask

Trupat izraelite kanë kryer sulme ajrore ndaj një kompleksi të madh sigurie në Kafr Sousa të Damaskut, ka raportuar të dielën TheGuardian.

Sulmet izraelite i ka konfirmuar edhe monitoruesi i luftës me bazë në Britaninë e Madhe.

Ai bëri me dije se janë shënjestruar ndërtesat e sigurisë qeveritare në Damask.

“Sulmet izraelite kishin në shënjestër një kompleks sigurie në Damask pranë ndërtesave të ish regjimit, duke përfshirë inteligjencën, doganat dhe një seli ushtarake”, thuhet në njoftimin e monitoruesit të luftës.

Ndërkohë, CNN ka raportuar se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të mbledhë ekipin e tij të sigurisë kombëtare për Sirinë. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do të njoftojë mbi situatën në Siri.

Administrata Biden është shprehur se është e vetëdijshme se fundi i pushtetit të Asadit mund të riformësojë rrënjësisht balancën e pushtetit në Lindje të Mesme.

Rebelët sirianë nisin festën

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 16:14
Damasku

Rebelët sirianë kanë nisur festën, pas rënies së pushtetit të Bashar al-Assadit, ka raportuar CNN.

Ata pushtuan kryeqytetin Damask, derisa e shpallën vendin të çliruar. Ata u panë rrugëve të Sirisë duke festuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se po e vëzhgojnë situatën.

Për rënien e pushtetit të Assadit kanë reaguar edhe liderë të evropianë.

Talebanët ftojnë rebelët sirianë të themelojnë qeveri islamike

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 16:10
Taleban

Ministria e Jashtme e Talibanëve e ka përgëzuar popullin sirian dhe forcat rebele, në veçanti Hayat Tahrir Al-Sham, që udhëhoqi ofensivën gjithëpërfshirëse në Siri, pas përmbysjes së regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

CNN ka raportuar se në reagim u tha se “Afganistani përgëzon udhëheqjen e lëvizjes dhe popullin sirian për zhvillimit e fundit”, teksa ka ftuar për krijimin e një qeverie islamike.

“Ne shpresojmë që procesi i tranzicionit të pushtetit të kryhet në një mënyrë të përafruar me aspiratat e popullit sirian, duke hapur rrugën për krijimin e një qeverie islamike të pavarur dhe të orientuar që i jep përparësi pajtimit kombëtar, shmang ndarjet dhe ndëshkimin”, thuhet në reagim.

Talebanët kanë kërkuar edhe unitet mes sirianëve.

Netanyahu: Rënia e Assadit, rezultat i goditjeve që u kemi shkaktuar Iranit e Hezbollahut

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 15:47
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e ka quajtur rënien e Assadit si “ditë historike” por ka paralajmëruar kundër “kërcënimeve të mundshme”

Duke folur gjatë një vizite në lartësitë e Golanit të pushtuar nga Izraeli, Netanyahu ka thënë se rrëzimi i Bashar al-Assadit në Siri ishte një "ditë historike" në Lindjen e Mesme dhe rënia e një "lidhjeje qendrore në boshtin e së keqes të Iranit".

“Ky është një rezultat i drejtpërdrejtë i goditjeve që i kemi shkaktuar Iranit dhe Hezbollahut, mbështetësve kryesorë të Assadit. Kjo ka shkaktuar një reaksion zinxhir në të gjithë Lindjen e Mesme, duke fuqizuar ata që kërkojnë të çlirohen nga ky regjim shtypës”, ka thënë Netanyahu.

Në një video të postuar në X, Netanyahu paralajmëron për rreziqet duke shtuar se ai "do të ndërmarrë veprime kundër kërcënimeve të mundshme".

Izraeli, i shqetësuar nga ajo që e cilëson si "ngulitje ushtarake" e Iranit në Siri, ka nisur shumë sulme ajrore ndaj objektivave në Siri për të cilat pretendon se janë të lidhura me Iranin dhe grupet e armatosura aleate si Hezbollahu.

Rebelët sirianë transmetojnë buletinin e parë të lajmeve në televizionin shtetëror

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 15:26
Rebelet siriane

Rebelët sirianë kanë transmetuar buletinin e tyre të parë të lajmeve në televizionin shtetëror, duke njoftuar se ata "kanë fituar bastin dhe kanë rrëzuar regjimin kriminal të Asadit". 

“Atyre që një ditë menduan se jemi thyer, ju njoftojmë nga Channel News Sirian fitoren e revolucionit të madh sirian pas 13 vjetësh durimi dhe sakrificash”, ka thënë prezantuesi i lajmeve në kanalin kryesor të lajmeve të Sirisë.

E ardhmja është e jona, thotë lideri i rebelëve në Siri

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 14:35
Abu Mohammed al-Jawlani

Abu Mohammed al-Jawlani

Udhëheqësi i rebelëve të njohur si Hayat Tahrir al-Sham ka bërë një deklaratë në televizionin shtetëror sirian të dielën.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Abu Mohammed al-Jawlani thotë se nuk ka vend për kthim prapa.

Ai ka thënë po ashtu se e ardhmja është e tyre.
Rebelët kanë shpallur shtetrrethim në Damask. Sipas një deklarate, një shtetrrethim është vendosur në

Damask të dielën duke filluar nga ora 16:00 me orën lokale.
Ora policore pritet të vazhdojë deri në orën 05:00 me orën lokale.

Rebelët sirianë shpallin shtetrrethim

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 14:31
Siri

Photo: Associated Press

Sipas një deklarate nga rebelët sirianë, një shtetrrethim është vendosur në Damask të dielën duke filluar nga ora 16:00 me orën lokale.

Ora policore pritet të vazhdojë deri në orën 05:00 me orën lokale. 

Assadi ka urdhëruar transferim paqësor të pushtetit, thotë Moska

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 13:20
Bashar al-Assad

Bashar al-Assad

Photo: Associated Press

Presidenti sirian Bashar al-Assad është larguar nga Siria, ka bërë të ditur ministria e Jashtme ruse në një deklaratë të dielën.

Në deklaratë thuhet po ashtu se Assadi urdhëroi transferim paqësor të pushtetit, para se të largohej, raporton CNN.

“Assadi vendosi të largohej nga posti presidencial dhe u largua nga vendi, duke dhënë udhëzime për të transferuar pushtetin në mënyrë paqësore", thuhet në deklaratë.
Rusia ka mohuar “marrjen pjesë në këto negociata”.

“Federata Ruse është në kontakt me të gjitha grupet e opozitës siriane”, thuhet më tej në deklaratë.

Sirianët dalin nëpër rrugë për të festuar rënien e sundimit të Assadit

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 12:28
Siri

Photo: Associated Press

Sirianët në kryeqytetin Damask janë mbledhur në sheshin Umajad për të festuar rënien e 60 vjetëve të sundimit të partisë “Baath” në Siri të dielën. 

Kryeqyteti i Sirisë, Damasak ka rënë të dielën në mëngjes nga duart e kontrollit të regjimit të Bashar al-Assadit. 

Ndërsa grupet e armatosura kundër regjimit filluan të dominonin kryeqytetin, regjimi i Asadit të dielën në mëngjes humbi shpejt çdo kontroll mbi Damaskun.

Raportohet se Assadi ka udhëtuar me një avion teksa besohet se ai tashmë ka dalë jashtë shtetit. 

Ku ndodhet Bashar al-Assadi?

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 12:06
Bashar al-Assad

Bashar al-Assad

Rebelët sirianë kanë marrë kontrollin e Damaskut dhe kanë njoftuar këtë mëngjes se kanë rrëzuar qeverinë e Bashar al-Assadit, i cili sundoi Sirinë për gati 25 vjet.

Megjithatë, aktualisht është e paqartë se ku ndodhet Assadi.

Ka raporte se udhëheqësi i rrëzuar udhëtoi me një aeroplan nga Damasku. 

Agjencia e lajmeve Reuters thotë se dy zyrtarë të lartë të ushtrisë pretendojnë se Assadi fluturoi nga qyteti në një vend të panjohur herët të dielën.

Ministri i Jashtëm i Turqisë pretendon se Assadi ka të ngjarë të jetë jashtë vendit tani, por nuk ka zbuluar se ku mund të jetë. 

Në mënyrë të ngjashme, një diplomat i lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ka konfirmuar dhe as mohuar nëse Assad ka kërkuar strehim në Abu Dhabi.

Reagimi i botës pas rënies së Bashar al-Assadit

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 11:56
Siri

Photo: Associated Press

Komanda e ushtrisë siriane ka njoftuar oficerët të dielën se sundimi autoritar 24-vjeçar i presidentit Bashar al-Assad ka përfunduar, ka thënë një oficer sirian për Reuters, pas një ofensive të shpejtë rebele që befasoi botën.

Liderë të shumtë botërorë kanë reaguar pas ngjarjes.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se po e monitoron nga afër situatën.

“Presidenti Biden dhe ekipi i tij po monitorojnë nga afër ngjarjet e jashtëzakonshme në Siri dhe po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët rajonalë”, ka thënë Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Ndërkohë, Pentagoni ka lëshuar një njoftim ku bën të ditur se trupat ushtarake do të vazhdojnë të mbeten prezentë në Sirinë lindore.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ruajnë praninë e tyre në Sirinë lindore dhe do të marrin masat e nevojshme për të parandaluar rilindjen e Shtetit Islamik”, ka thënë zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, Daniel Shapiro në konferencën e sigurisë në Bahrein.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka përshëndetur lajmin për rënien e presidentit sirian Bashar al-Assad të dielën dhe tha se Franca do të mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së të gjithëve në Lindjen e Mesme.

“Shteti barbar ka rënë. Më në fund. U bëj nder popullit sirian, guximit të tij, durimit të tij. Në këtë moment pasigurie, u uroj atyre paqe, liri dhe unitet”, ka thënë Macron në një postim në X. 
“Franca do të mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së të gjithëve në Lindjen e Mesme”, ka shtuar Macron.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se Bashar Bashar al-Assad ka shtypur brutalisht popullin e tij, ka jetë të panumërta në ndërgjegjen e tij dhe ka shtyrë shumë njerëz të ikin nga Siria, shumë prej të cilëve jetojnë në Gjermani. 

“Populli sirian ka vuajtur tmerrësisht. Prandaj, fundi i sundimit të Asadit mbi Sirinë është një lajm i mirë. Ajo që ka rëndësi tani është që ligji dhe rendi të rivendosen shpejt në Siri. Të gjitha bashkësitë fetare, të gjitha pakicat duhet të gëzojnë mbrojtje tani dhe në të ardhmen. Një zgjidhje politike e konfliktit në Siri në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ende e mundur”, ka thënë Scholz.

Shapiro u bëri thirrje të gjitha palëve të mbrojnë civilët, veçanërisht pakicat, që të respektojnë normat ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka thënë se ka thirr një takim urgjent në ministrinë e Jashtme lidhur me ambasadën italiane në Damask. 

"Unë po ndjek me vëmendje evoluimin e situatës në Siri. Jam në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Damask dhe me zyrën e Kryeministrit. Kam thirrur një takim urgjent në orën 10:30 në Ministrinë e Jashtme", ka shkruar Tajani në X.

Zëvendëskryeministrja e Britanisë, Angela Rayner, ka thënë se diktatura dhe terrorizmi krijon probleme për popullin e Sirisë. 

"Diktatura dhe terrorizmi krijon probleme për popullin e Sirisë që tashmë është përballur me kaq shumë dhe gjithashtu destabilizon rajonin. Kjo është arsyeja pse ne duhet të kemi një zgjidhje politike ku qeveria vepron në interes të popullit sirian. Kjo është ajo që ne duam të shiko. Ky është lloji i demokracisë që ne themi se është i duhuri për botën dhe kjo, me shpresë, është ajo që do të marrë populli sirian”, ka thënë Rayner. 

"Nëse Assad ka ikur, ky është një ndryshim i mirëpritur, por ajo që vjen më pas duhet të jetë një zgjidhje politike dhe ata duhet të punojnë në interes të popullit sirian”, ka shtuar ajo.

SHBA-ja do ta ruajë praninë në Sirinë lindore, thotë Pentagoni

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 11:49
Siri

Photo: Associated Press

Pentagoni ka thënë se SHBA-ja do të mbajë një prani në Sirinë lindore dhe do të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar rilindjen e Shtetit Islamik.

Zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, Daniel Shapiro, bëri thirrje gjithashtu që civilët, veçanërisht pakicat, të mbrohen dhe që e drejta ndërkombëtare të respektohet nga të gjitha palët, sipas Sky News.

Ambasadori amerikan, Robert Wood ka thënë javën e kaluar se pozicionet dhe personeli ushtarak amerikan në Sirinë verilindore mbeten thelbësore për të siguruar që Shteti Islamik të mos ringjallet kurrë.

Trupat amerikane janë vendosur gjithashtu në Tanf të Sirisë pranë kryqëzimit të kufijve të Jordanisë dhe Irakut, ku ata mbështesin një forcë rebele siriane për të luftuar Shtetin Islamik në zonë.

Qeveria e Asadit i shihte forcat amerikane si pushtuese. 

Rreth 900 trupa amerikane ndodhen aktualisht në vend, kryesisht në verilindje.

Trump: Assadi iku sepse Rusia s’ishte më e interesuar që ta mbronte

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 11:10
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump ka thënë të dielën se Rusia nuk ishte e interesuar të mbronte presidentin sirian, Bashar al-Assad, duke e detyruar atë të largohej nga vendi.

Assad është larguar nga Siria në një vend të panjohur pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e kryeqytetit Damaskun herët të dielën. 

Kjo erdhi pothuajse një javë pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Aleppos, një qytet i madh në Sirinë veriore.

“Assad është zhdukur. Ai ka ikur nga vendi i tij. Mbrojtësi i tij, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin, nuk ishte e interesuar ta mbronte më atë”, ka thënë Trump në një postim në rrjetin "Truth Social".

“Nuk kishte asnjë arsye që Rusia të ishte atje në radhë të parë. Ata humbën çdo interes për Sirinë për shkak të Ukrainës, ku rreth 600,000 ushtarë rusë janë të plagosur ose të vdekur, në një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe që mund të vazhdonte përgjithmonë”, ka shtuar ai.

Trumpi ka thënë po ashtu se lufta ruse në Ukrainë ka dobësuar Rusinë dhe Iranin.

"Rusia dhe Irani janë në një gjendje të dobësuar tani, njëra për shkak të Ukrainës dhe ekonomisë së keqe, tjetra për shkak të Izraelit dhe suksesit të tij luftarak”, është shprehur presidenti i ardhshëm i SHBA-së.

Trump bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë për t'i dhënë fund konfliktit atje.
“(Presidenti ukrainas Volodymyr) Zelensky dhe Ukraina do të donin të bënin një marrëveshje dhe të ndalonin çmendurinë. Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe negociatat duhet të fillojnë," tha ai.

Trump i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të veprojë me vendosmëri për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

"Unë e njoh mirë Vladimirin. Është koha e tij për të vepruar. Kina mund të ndihmojë. Bota po pret!", ka thënë ai. 

Opozita izraelite bën thirrje për koalicion rajonal pas rënies së Assadit

4 muaj më parë / 8 dhj 2024 10:56
Siri

Photo: Associated Press

Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid bëri thirrje të dielën për krijimin e një koalicioni rajonal për t'u marrë me paqëndrueshmërinë rajonale pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad në Siri.

Assad u largua nga Siria në një vend të panjohur pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit Damask herët të dielën, duke shënuar rënien e regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.

Lëvizja erdhi pothuajse një javë pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Aleppos, një qytet i madh në Sirinë veriore.

“Përballë ngjarjeve në Siri, është më e rëndësishme se kurrë krijimi i një koalicioni të fortë rajonal, me Arabinë Saudite dhe vendet e Marrëveshjes së Abrahamit, në mënyrë që të përballemi së bashku me paqëndrueshmërinë rajonale”, ka thënë Lapid në llogarinë e tij në “X”.

Marrëveshja e Abrahamit, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ka bërë që katër vende arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Sudani dhe Maroku, të vendosin marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2020.

Zyrtarët izraelitë kanë kërkuar prej kohësh të normalizojnë marrëdhëniet me Arabinë Saudite, por Riadi ka thënë se do të vendosë lidhje vetëm pasi t'i japë fund pushtimit izraelit prej dekadash të tokave palestineze.

“Boshti iranian është dobësuar ndjeshëm dhe Izraeli duhet të përpiqet për një arritje politike gjithëpërfshirëse që do ta ndihmojë gjithashtu në Gaza, Judea dhe Samaria (Bregu Perëndimor),” tha Lapid.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës, duke lënë të vdekur më shumë se 44,600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.

Muajin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhraarresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.