Epërsia e Kamala Harrisit ndaj Donald Trumpit ka rënë në pjesën e fundit të garës presidenciale në SHBA, teksa kandidatja demokrate ndodhet përpara me vetëm një pikë përqindjeje ndaj republikanit, sipas sondazhit më të ri të Reuters/Ipsos.
Sipas sondazhit, Harris mori 44% të mbështetjes të votuesve të mundshëm, teksa Trumpi ka marrë 43% të mbështetjes, thotë sondazhi i publikuar të martën.
Sondazhi tre-ditor, i përfunduar të dielën, tregon se gara është thuajse e barabartë, kur kanë mbetur një javë deri në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Ndërsa Harrisi ka udhëhequr Trumpin në çdo sondazh të Reuters/Ipsos që kur ajo hyri në garë në korrik, epërsia e saj është tkurrur vazhdimisht që nga fundi i shtatorit. Një sondazh i mëparshëm i Reuters/Ipsos, i kryer nga 16-21 tetor, tregonte se Harris, zëvendëspresidenja aktuale e SHBA-së, kishte dy pikë epërsi ndaj ish-presidentit Trump.
Sondazhi i ri, i cili anketoi 1,150 të rritur amerikanë në mbarë vendin, duke përfshirë 975 votues të regjistruar, tregon se Trumpi ka avantazhe të konsiderueshme ndaj Harrisit në disa nga çështjet që votuesit i konsiderojnë më të ngutshme.
Të pyetur se cili nga dy kandidatët ka qasje më të mirë ndaj ekonomisë, papunësisë dhe vendeve të punës, votuesit në sondazh zgjodhën Trumpin i cili mori 47% të votave, teksa Harrisi mori 37%.
Trumpi ka pasur një avantazh në ekonomi gjatë gjithë fushatës dhe 26% e votuesve në sondazhin e fundit përmendën vendet e punës dhe ekonominë si problemin më urgjent të vendit, krahasuar me 24% që përmendën ekstremizmin politik, dhe 18% që vunë në dukje emigracionin.
Përparësia më e madhe e Trumpit për sa i përket politikës mund të jetë në çështjet e imigracionit, ku ai ka paraqitur propozime të vijës së ashpër që përfshijnë dëbimet masive të emigrantëve në vend në mënyrë të paligjshme.
Rreth 48% e votuesve në sondazhin e fundit thanë se qasja e Trumpit ndaj emigracionit është më e mira, teksa 33% zgjodhën Harrisin.
Sondazhi tregon gjithashtu se avantazhi i Harrisit në çështjen e ekstremizmit politik është në rënie.
Rreth 40% e votuesve në sondazh thanë se ajo kishte një qasje më të mirë për trajtimin e ekstremizmit politik dhe kërcënimeve ndaj demokracisë, krahasuar me 38% që zgjodhën Trumpin.
Epërsia e Harrisit është dy pikë për këtë çështje në krahasim me epërsinë e saj prej shtatë pikësh ndaj Trumpit, në sondazhin e 16-21 tetorit.
Sondazhet kombëtare, duke përfshirë sondazhet e Reuters/Ipsos, japin sinjale të rëndësishme mbi pikëpamjet e elektoratit, por rezultatet shtet pas shteti të Kolegjit Zgjedhor përcaktojnë fituesin, me shtatë shtete në fushëbetejë që ka të ngjarë të jenë vendimtare.
Trumpi mundi demokraten Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016, duke triumfuar në Kolegjin Zgjedhor edhe pse ajo fitoi votën popullore kombëtare me dy pikë.