Botë

Bideni thotë se pengu amerikan Austin Tice është i gjallë në Siri

Austin Tice

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja do të bëjë përpjekje për ta kthyer në shtëpi një nga pengjet amerikan të mbajtur më së gjati, pas kolapsit total të qeverisë siriane të dielën.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Bideni ka thënë se beson që Austin Tice është i gjallë, por duhet ta gjejnë lokacionin e tij në shtetin e pasluftës, raporton BBC.

Tice, një gazetar i pavarur, besohet të jetë marrë peng afër Damaskut, më 15 gusht të vitit 2012, teksa po mbulonte luftën civile brenda Sirisë atëkohë.

Të dielën, rebelët sirianë morën nën kontroll kryeqytetin sirian, në kulmin e një ofensive që kishte nisur dy javë më parë. Presidenti, Bashar al-Assad ka ikur nga shteti dhe raportohet të ketë shkuar në Rusi, ku i është dhënë azil.

Bideni ka thënë të dielën se fundi i Assadit shënon “një akt fundamentalist të drejtësisë”, pas dekadash shtypjeje, por gjithashtu një moment të rrezikut dhe të pasigurisë për Lindjen e Mesme. 

"Jemi të bindur se ka amerikanë në Siri, përfshirë Austin Tice, i cili është marrë peng 12 vjet më parë. Mbetemi të përkushtuar për ta kthyer atë te familja e tij. Ne besojmë se ai është gjallë”, ka thënë Bideni.

LEXO EDHE: