Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë në një intervistë për “Time” të publikuar të martën se lideri izraelit, Benjamin Netanyahu mund të jetë duke evituar përfundimin e luftës në Gaza për arsye politike.
Komentet në intervistën e 29 majit janë bërë vetëm pak ditë para se Bideni të lëshonte një propozim të detajuar për armëpushim në Gaza, dhe derisa Netanyahu po përballet me presion në kabinetin e tij për të mos e pranuar atë, raporton Reuters.
I pyetur nëse Netanyahu po e zgjaste luftën për arsye të tij politike, Bideni ka thënë se "Ekzistojnë të gjitha arsyet që njerëzit të dalin në një përfundim të mirë”.
Bideni i cili po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës pothuajse tetë-muajsh, ka thënë po ashtu se ishte e “pasigurt” nëse forcat izraelite kanë kryer krime të luftës në Gaza.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet se Izraeli është duke e përdorur urinë e civilëve si metodë të luftës, por ka shtuar se “mendonte se ata janë të angazhuar në një aktivitet që nuk është i përshtatshëm”.
Bideni ka deklaruar po ashtu se e kishte paralajmëruar Izraelin të mos i bënte gabimet e njëjta që SHBA-ja i ka bërë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 që çuan “në luftëra të pafundme”.
“Dhe ata janë duke e bërë atë gabim”, ka thënë Bideni.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, i pyetur për intervistën, tha se ishte "jashtë normave diplomatike të çdo vendi që mendon drejt" që Biden të bënte komente të tilla për Netanyahun.
Muajin e kaluar, prokurorët në Gjykatën Ndërkombëtare Kriminale në Hagë kanë kërkuar urdhërarreste për Netanyahun dhe shefin e tij të Mbrojtjes, e po ashtu për tre liderë të Hamasit, nën pretendimin për kryerje të krimeve të luftës.
Izraeli ka nisur luftë ajrore dhe tokësore në Gaza në tetor, me zotimin për ta shkatërruar grupin militant islamist Hamas, pasi atë ditë ai kishte sulmuar Izraelin duke vrarë 1,200 persona dhe duke marrë rreth 250 pengje. Rreth 120 pengje vazhdojnë të mbahen në Gaza.
Lufta izraelite në Gaza ka lënë mbi 36,000 të vdekur, sipas të autoriteteve shëndetësore atje.